Pas festave të fundvitit, policia rrugore vjen me një sërë gjobash, madje edhe arrestime, për shoferët e pabindur që janë sjellë në mënyrë të rrezikshme duke udhëtuar nëpër rrugët e Tiranës.
Pas kontrolleve të shumta parandaluese policia ka konstatuar dhe arrestuar 5 drejtues mjetesh në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi.
Blutë kanë vendosur qindra masa administrative për drejtues që xhironin gomat në qendrat e banuara, për ata që bënin zhurma shqetësuese, apo edhe për ata që përdornin celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Nuk kanë munguar ndëshkimet as për shoferët që udhëtonin me shpejtësi tej normave, për të cilët është vendosur pezullim i lejes së drejtimit.
Ndërkaq, janë proceduar 1130 automjete të ndryshme, për qëndrim dhe pushim në kundërshtim me sinjalizimin rrugor dhe rregullat e qarkullimit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Duke marrë parasysh sjelljet e rrezikshme që janë manifestuar gjatë festës së ndërrimit të viteve dhe po vijojnë edhe në ditët e para të janarit, rrugorët e kryeqytetit kanë organizuar kontrolle të dedikuara ndaj mjeteve që janë burim për ngjarje rrugore, duke u fokusuar kryesisht te mjetet me xhamat ballorë të errësuar, për mosrregullimin e shpejtësisë, përdorimin e celularit, parakalimet e gabuara, drejtimin e mjeteve me shpejtesi mbi normat e lejuara apo nën efektin e alkoolit.
Në funksion të kontrolleve parandaluese janë konstatuar dhe:
Janë arrestuar 5 drejtues automjetesh, të cilët janë kapur duke drejtuar mjetet, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi;
Janë proceduar administrativisht 23 drejtues mjetesh, për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara dhe gara shpejtësie;
Janë proceduar administrativisht, për zhurma shqetësuese nga mënyra e drejtimit të mjeteve, 6 drejtues automjetesh sportive;
Janë proceduar administrativisht 29 drejtues mjetesh, për errësim të xhamit parapritës;
Janë proceduar administrativisht 131 drejtues mjetesh, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit;
Janë proceduar administrativisht me pezullim të lejes së drejtimit, 39 drejtues mjetesh, për shpejtësi mbi normat e lejuara;
Janë proceduar administrativisht, për drejtimi mjeti nën efektin e alkoolit, 22 drejtues mjetesh;
Janë proceduar administrativisht për parakalime të gabuara, 56 drejtues mjetesh;
Janë proceduar 1130 automjete të ndryshme, për qëndrim dhe pushim në kundërshtim me sinjalizimin rrugor dhe rregullat e qarkullimit;
Janë shoqëruar për verifikim, për llogari të strukturave të tjera policore, 12 automjete me targa regjistrimi të shteteve të tjera.
Top Channel