Tesla kritikohet për hapjen e një dyqani në Ksinjiang

04/01/2022 11:00

Kompania amerikane e prodhimit të makinave, Tesla, është kritikuar në Shtetet e Bashkuara për hapjen e një dyqani për ekspozim të produkteve të saj.

Në këtë rajon, zyrtarët kinezë akuzohen se abuzojnë me anëtarë të minoritetit ujgur.

Tesla, e udhëhequr nga miliarderi, Elon Musk, ka njoftuar se do të hapë dyqanin në Urumqi, kryeqytetin e provincës Ksinjiang, një javë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar një legjislacion që u kërkon kompanive të vërtetojnë se mallrat e importuara nga Ksinjiangu, nuk janë produkt i punës së detyrueshme.

Shtetet e Bashkuara, disa vende të Perëndimit, dhe grupe për të drejta të njeriut, akuzojnë Kinën se ka kryer gjenocid kundër ujgurëve dhe minoriteteve tjera myslimane në Ksinjiang përmes punës së detyrueshme, kontrollimit të popullsisë dhe eliminimit të besimit dhe kulturës në mesin e minoritetit.

Pekini mohon akuzat, duke thënë se udhëheq “kampe të riedukimit” për të luftuar ekstremizmin islamik.

Republikani amerikan, Marko Rubio, ka thënë në Twitter se “korporatat pa kombësi, janë duke i ndihmuar Partisë Komuniste të Kinës që të fshehë gjenocidin dhe punën e skllevërve në rajon”.

Përmes një deklarate, Këshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islamike, i ka bërë thirrje kompanisë Tesla, që të mbyllë dyqanet dhe atë “që është e barabartë me mbështetje ekonomike për gjenocid”.

Tesla nuk ka bërë ende ndonjë koment publik për këtë gjë.

Edhe kompania tjera për prodhim të makinave, përfshirë Volkswagen, General Motors dhe Nissan Motor kanë dyqane në Ksinjiang, të cilat drejtohen nga bashkëpunëtorë kinezë.

Volkswagen po ashtu ka një fabrikë në Urumqi.

Top Channel