Hakerët “pushtojnë” gazetën Jerusalem Post në dy vjetorin e vrasjes së gjeneralit iranian Soleimani

03/01/2022 13:30

Faqja online e gazetës izraelite “Jerusalem Post” në orët e para të kësaj të hëne është hakeruar, duke i vendosur në ballinë një imazh që përfaqëson, sipas shumë interpretimeve, një sulm iranian ndaj një laboratori bërthamor.

Ky sulm kibernetik u shënua në dy vjetorin e vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Suleimani, i cili konsiderohej si një nga njerëzit më të fuqishëm dhe më popullor në të gjithë Lindjen e Mesme.

Suleimani u vra nga një sulm ushtarak amerikan, por në fund të dhjetorit, ish-shefi i inteligjencës ushtarake izraelite pranoi përfshirjen e Izraelit në operacionin e vrasjes së tij.

Imazhi i shfaqur në ballinën e gazetës tregon një raketë balistike që lëshohet nga lart, nga guri i një unaze të vendosur në një dorë të mbledhur grusht (unaza është shumë e ngjashme me atë që mbante gjithmonë Suleimani) dhe raketa lëshohet mbi një ndërtesë që mendohet të jetë  Qendra Izraelite e Kërkimeve Bërthamore, në jug të Dimonës.

Sulmi kibernetik ende nuk është marrë përsipër nga asnjë grup dhe pak kohë më pas “Jerusalem Post” arriti të marrë kontrollin e faqes.

Viti 2020 nisi me lajmin e vrasjes së një gjenerali të lartë iranin, Qasem Soleimani-t.

Kjo ngjarje shënoi një pikë kulminante të konfliktit SHBA-Iran. Trump nuk ngurroi ta quante një fitore të madhe vrasjen e tij, pasi ishte një ndër “antiamerikanët më të egër”.

Nga Shtëpia e Bardhë u bë me dije se planet e Soleimani-t ishin “të hidhte në erë Ambasadën e SHBA-ve në Bagdad”.

Pas dy muaj replikash në distancë, SHBA-të vendosën sanksione të reja ndaj Iranit.

Kryesisht, synimi ishte të ndalnin rritjen ekonomike të Iranit. Industria e naftës dhe ajo kimike u goditën më rëndë. U kërkua gjithashtu një izolim diplomatik i Iranit.

Një seri sanksionesh të tjera kishin në shënjestër Ministrin e Brendshëm dhe zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit me arsyetimin se kishin shkelur ashpër të drejtat e njeriut.

Top Channel