Komisioni i BE-së dëshiron t’i klasifikojë investimet në termocentralet bërthamore dhe ato të gazit si ekologjike. Kusht është që sistemet të përmbushin standardet më të fundit teknike.
BE-ja do që gazi dhe energjia bërthamore të klasifikohet nën kushte të caktuara si energji ekologjike. Në një projekt-rregullore të Komisionit Evropian, e cila sapo u bë publike shkruhet se “duhet pranuar se sektorët që punojnë me lëndë fosile si gazi dhe energjia bërthamore mund të kontribuojnë për dekarbonizimin e ekonomisë së Bashkimit Evropian”.
Sipas projekt-rregullores investimet në centrale të reja bërthamore duhet të klasifikohen si të gjelbra, nëse termocentralet plotësojnë standardet më të fundit teknike. Një kusht tjetër është që objektet e reja bërthamore të marrin leje ndërtimi deri në vitin 2045.
Komisioni i BE-së do që këty dy forma energjie të përfshihen krahas teknologjive pa emetime dioksidi karboni, si enegjia e prodhuar nga era dhe dielli, në të ashtuquajturën taksonomi, e cila shërben si orientim për tregjet financiare, se cilat investime mbrojnë klimën dhe mjedisin.
Zemërim tek politikanët e gjelbër
Projekt-rregullorja e re nga Brukseli u prit me zemërim nga politikanët e gjelbër dhe kundërshtarët e energjisë bërthamore, që ende janë duke festuar mbylljen në ditën e fundit të vitit që sapo lamë pas të tre termocentralëve bërthamorë në Gjermani.
Gjermania është kundër përfshirjes së energjisë bërthamore në taksonomi, por e konsideron prodhimin e energjisë elektrike nga gazi si një teknologji të nevojshme tranzicioni drejt neutralitetit klimatik. Kurse për vende si Franca energjia bërthamore është një teknologji kyçe për një ekonomi pa CO2.
Dy javë konsultime
Procesi i konsultimeve mes vendet anëtare të BE-së pritet të zgjasë rreth dy javë. Në mes të janarit Komisioni do të paraqesë më pas propozimin përfundimtar, i cili mund të ndryshojë nga propozimi i tanishëm.
Zbatimi i tij mund të parandalohet vetëm nëse një shumicë e cilësuar shtetesh anëtare e kundërshtojnë atë. Sipas kësaj e nevojshme është që të jenë të një mendjeje të paktën 15 vende të BE-së, të cilat përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së./ DW
Top Channel