Gaza, viti hyn me bomba: Ushtria izraelite sulmon Hamasin

02/01/2022 17:00

Nuk ka festa për Gazën; pikërisht në ditët e para të 2022-shit, kur bota ende kremton hyrjen e vitit të ri, ushtria izraelite bombardoi disa pozicione të Hamasit në Rripin jugor të Gazës.

Shkak i zemërimit të saj u bënë disa raketa artizanale të lëshuara nga këto territore në drejtim të shtetit hebre. Gjatë sulmeve ndaj pozicioneve në Rripin e Gazës u bombarduan një fabrikë raketash dhe një pikë ushtarake e Hamasit, njoftoi ushtria izraelite.

“Jerusalem Post” tha se tanket kishin qëlluar edhe pozicionet e Hamasit. “Organizata terroriste është përgjegjëse për ngjarjet dhe për pasojat e veprimeve terroriste në Rripin e Gazës”, thanë burime të ushtrisë. Izraeli njoftoi më herët se pranë Tel Avivit kishin rënë në det dy raketa të lëshuara nga Gaza, por ato nuk shkaktuan viktima.

Lëvizja palestineze Hamas që dominon në Rripin e Gazës, është klasifikuar nga Izraeli, SHBA dhe BE si organizatë terroriste. Izraeli u përfshi  në maj në një konflikt të armatosur njëmbëdhjetëditor me militantët palestinezë në Rripin e Gazës.

Egjipti arriti të ndërmjetësonte një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, i cili hyri në fuqi më 21 maj, e që atëherë gjendja ka qenë relativisht e qetë.

Top Channel