Atmosfera festive ka mbërritur dhe në maternitetin e spitalit të Durrësit.
Dua, është një nga foshnjat që natën e ndërrimit të viteve do e kalojë këtu, nën kujdesin e mjekëve. Larg shtëpisë nuk është e lehtë për nënën e saj, por jeta vlen mbi gjithçka.
“Kjo është arsyeja që më prek se kam dhe fëmijë të tjerë në shtëpi që më presin, po para jetës së fëmijës një natë e ndërrimit të viteve… Çdo ditë tjetër do të jetë vit i ri”, shprehet një nënë.
– Ia keni vënë emrin vajzës?
– Po, Dua, një emër lutjeje.
Edhe këtë nënë afgane viti i ri do ta gjejë në spital, aty ku ajo solli në jetë vajzën e katërt.
“Deri tani janë bërë 4 lindje nga nënat afgane. Rastet kanë shkuar mirë, po kemi dhe një rast tani kur bebi ka lindur 36-javësh. Bebi është trajtuar në repartin tonë dhe gjendja e bebit ka ardhur duke u përmirësuar”, shprehet mjekja neonatologe, Engjëllushe Gjonku.
“Bëra një ndërhyrje çezariane dhe jam shumë e kënaqur me aftësitë, punën e mjekëve dhe infermierëve. Gjithçka është fantastike dhe janë shumë falenderuese për stafin mjekësor, po dhe qeverinë që na mirëpriti”, thotë një grua afgane.
Gjinekologe në profesion, ajo shprehet se kjo festë vjen krejt ndryshe për familjen e saj që u largua nga lufta dhe tani jeton në një hotel buzë Adriatikut.
“Ky vit i ri do të jetë ndryshe. Kur ishim në Afganistan ne shkonim në Indi ose diku tjetër për pushime. Familjarët e mi do të kujdesen për fëmijët që të kënaqen. Foshnja ime është sëmurë dhe unë duhet të pres këtu për të. Quhet Ajlin”, rrëfen një emigrante afgane.
Të lindur para kohe dhe nën peshë, këto bebe janë në kujdesin e një stafi të përkushtuar mjekësor për t’ia dalë mbanë në betejën për jetën, edhe në këtë ndërrim vitesh.
“Që në ditët e para bëhet një punë e madhe edhe për këshillimin e nënave, si duhet të ushqehet bebi, të ndërrohet, të mbahet, si dhe për këshillimin e nënës që të jetë e qetë dhe të ndjehet mirë me ardhjen e bebit në jetë”, thotë Gjonku. “Ardhja e një bebi në jetë sjell gëzim jo vetëm për çiftin, por edhe për ne si personel mjekësor”.
Top Channel