Franca njoftoi sot 206,243 raste të reja të konfirmuara me koronavirus në 24 orët e fundit. Kjo është dita e dytë që numri i të infektuarve kalon kufirin prej 200,000, pasi varianti Omicron ka pushtuar vendin.
Një rekord prej 208,099 infeksionesh u regjistruan dje, me Ministrin e Shëndetësisë, Olivier Veran, duke paralajmëruar një “cunam” të rasteve. Mesatarja lëvizëse shtatëditore e rasteve të reja ditore u rrit në një rekord 121,566, një numër pothuajse i katërfishuar në vetëm një muaj.
Përdorimi i maskës në rrugët e Parisit dhe Lionit do të jetë sërish i detyrueshëm, pasi autoritetet përpiqen të shmangin një rritje të shpejtë të rasteve në natën e ndërrimit të viteve.
Numri i përgjithshëm i pacientëve me Covid-19 të trajtuar është rritur me 465 në 24 orët e fundit në 18,321, një nivel më i lartë në shtatë muaj. Megjithatë, ky numër është pothuajse gjysma e rekordit prej 33,497 në nëntor 2020. Numri i të vdekurve nga Covid-19 u rrit me 180 në 24 orë, në 123,552 të vdekur.
Top Channel