Bie lumturia nëpër botë, më keq është Europa Lindore!

31/12/2021 10:21

Anketuesit e Gallup International, që masin çdo vit lumturinë globale, tregojnë se sivjet njerëzit duket sikur i kanë humbur iluzionet.

Kreu i Gallup, Kanço Stoyçev tregon se dy vite pandemi kanë lënë gjurmën e tyre; opinioni publik global është mjaft i shqetësuar për perspektivat ekonomike dhe pret thellimin e krizës.

Ky shqetësim është më i përhapur në Europën Lindore, ku mesatarisht rreth dy të tretat e anketimeve tregojnë rënie të pritshmërive. Vitin e kaluar luajti një rol pozitiv mbështetja financiare e paprecedentë e shteteve për individët dhe bizneset dhe, ajo e frenoi disi përhapjen e pesimizmit masiv.

Por, siç duket, më e keqja nuk ka ardhur ende, pohoi Stoyçev për DW. Viti i kaluar u shënua nga shpresa se vaksinat kundër Covid-it do t’i jepnin fund pandemisë. Megjithatë, ky vit përfundon me më shumë pyetje sesa përgjigje. Rritja e inflacionit ishte parashikuar pas shtypjes së parave në shifra rekord; por në vend të disa muajve, kjo duket se do të vazhdojë me vite.

Me ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit global dhe shpërthimin e çmimeve të energjisë, pakënaqësia masive dhe tensionet politike do të rriten, jo vetëm në vendet më pak të zhvilluara. Njerëzit në mbarë botën po lodhen. Dikur planifikimi i së ardhmes zinte vendin kryesor: Në cilën festë të shkoj? Cilën makinë të blej? Për pyetje të tilla ne i dinim përgjigjet. Tani, jemi kthyer në “normalitet”, në normalitetin e mirëfilltë të mosnjohjes së të ardhmes – dhe e perceptojmë këtë realitet të ri si jonormal. Ne po i humbasim iluzionet tona dhe, në të njëjtën kohë, po përpiqemi t’i zëvendësojmë ato me “fe të reja”, si ndryshimi i klimës ose kulti i trupit, shprehet ai.

Top Channel