Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, projektligji për buxhetin shqyrtohet të hënën
Ambasada amerikane në Prishtinë, ka njoftuar se më herët gjatë kësaj jave, përkatësisht më 28 dhjetor, Jeffrey Hovenier është betuar si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Ai e ka kryer betimin para nënsekretares amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland.
Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Muajin tetor, në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.
Ai po ashtu ka thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Për ta marrë detyrën ka qenë i nevojshëm konfirmimi i Senatit.
Hovenier do ta zëvendësojë në këtë pozitë ambasadorin e deritanishëm amerikan, Philip Kosnett, mandati i të cilit përfundon në fund të vitit.
Kosnett është larguar nga Kosova pak muaj më parë, ndërsa në detyrë ka mbetur zëvendësi i tij, Nick Giacobbe.
Top Channel