Shqipëria do t’i japë energji Kosovës/ Vendi ynë do japë energji për datat 31 dhjetor dhe 1 janar, Kosova energjinë do e kthejë në verë

29/12/2021 01:21

Kosova prej disa ditësh po kalon një situatë të rëndë ku në të gjithë territorin mungon energjia elektrike me orë të tëra.

Ditën e martë qeveria e Kosovës u gjend përballë një rrebeshi kritikash në parlament, opozita kaloi hapur në sulm për ngërçin e krijuar në vend me kufizimet e energjisë elektrike. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e përshkroi këtë si krizën më të madhe me të cilën është përballur Kosova që prej pavarësisë.

Ndërsa Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi sakaq populiste dhe të paditur Qeverinë e Kurtit dhe i kërkoi shefit të ekzekutivit të dorëzojë diplomën si inxhinier nëse nuk e di sesi kontraktohet çmimi i energjisë elektrike.

Por në ndihmë Kosovës i erdhi Shqipëria që do t’i japë borxh energji për dy ditët e ndërrimit të viteve. Lajmin e njoftoi mëngjesin e të martës kryeministri Rama dhe e konkretizoi në orët e pasdites ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Ministrja Balluku sqaroi se dy qeveritë kanë rënë dakord që këtë sasi energjie Kosova do t’ja kthejë Shqipërisë në muajt e verës atëherë kur Shqipëria ka prurje të pakta nga lumenjtë dhe rrjedhimisht prodhon më pak energji.

Top Channel