Gjykata afrikano-jugore ndalon testimet sizmike të grupit ‘Shell’ për naftë e gaz në brigjet lindore (fotot)

29/12/2021 17:23
Protesta te komuniteteve vendase kunder Shell

Vendimi pret një tjeter verdikt përfundimtar por është ngritur lart nga ambjentalistët që thonë se shpërthimet dhe zhurmat e tyre dëmtojnë botën detare dhe komunitetet bregdetare.

Ministri afrikano-jugor i energjitikës Gwede Mantashe ka dënuar kritikët e projektit duke thënë se duan t’i mohojnë vendit burimet e energjisë.

Në vendimin e tij gjykatësi i gjykatës së lartë Gerald Bloem tha se e drejta e grupit Shell për të eksploruar ujërat pranë brigjeve të ‘Wild Coast’ ishte dhënë bazuar në një proces të gabuar konsultimi.

Linja bregdetare prej 250km e kësaj province njihet për bukuritë natyrore dhe botën detare.

Aktivistët thonë se shumë krijesa detare duke përfshirë balenat, delfinët e fokat dëmtohen nga testimet e forta sizmike për naftë e gaz.

Në çështje përfaqësohen gjithashtu komunitetet lokale si të prekur në të drejtat e tyre të tokës e peshkimit.

Aktivisti vendas Nonhle Mbuthuma mirëpriti vendimin duke thënë: “Ne si komunitete bregdetare jemi mbështetur te deti prej shekujsh dhe gjykatësi me të drjetë ka njohur se jeta dhe ushqimi ynë nga oqeani nuk duhet të sakrifikohen për përfitime afatshkurtra”.

Studimet sizmike kryhen si mjet për të krijuar hartën e hidrokarbureve që gjenden nën sipërfaqen e tokës.

Në testime lëshohen valë masive tronditëse nënujore drejt fundit të detit. Jehona e tingujve zbulon nëse ka naftë në shkëmbinjtë nënujorë.

Shell ka kryer survejimet e rreth 6,000-km katrorë në zonë prej fillimit të dhjetorit pasi një gjykatë i dha lejen më herët.

Aktivistja Katherine Robinson tha se vendimi ishte një fitore e konsiderueshme por “përpjekja nuk ka marrë fund”.

“Vendimi është vetëm një ndalesë. Ne e kuptojmë se ata nuk do të heqin dorë,” tha ajo për rrjetin AFP.

FOTO GALERI
1/3
Në çështje përfaqësohen gjithashtu komunitetet lokale si të prekur në të drejtat e tyre të tokës e peshkimit.

Top Channel