Në një zonë të pyllëzuar, shumë pranë kryeqyteti Kievit, trupa ukrainase që hiqen si ruse i zënë pritë rezervistëve të ushtrisë me veshje kamuflazhi.
Ushtarët e ardhshëm ukrainas, mes të cilëve ka edhe studente, mjeke e arkitekte, e kthejnë zjarrin me kopje kallashnikovi teksa granata të rreme tymuese shpërthejnë rreth tyre.
Rreth 50 civilë ukrainas u nisën nga kryeqyteti drejt një kompleksi të braktisur të periudhës sovjetike për tu stërvitur sesi të mbrojnë vendin e tyre në rastin e një pushtimi rus. Dhjetëra civilë i janë bashkuar rezervistëve të ushtrisë këto muajt e fundit, teksa frika e mësymjes ruse, shtohet.
Daniil Larin, student: Besoj se duhet të jemi të përgatitur. Them se çdo njeri në këtë vend duhet ta dijë se cfarë të bëjë në rast pushtimi të armikut.
Marta Yuzkiv, mjeke: Rreziku i një lufte frontale është mjaft i lartë në këto momente. Megjithatë, edhe pse armiku është i fuqishëm, dhe na e kapcërn në forcë e armatime, mendoj se kemi një shans të fitojmë nëse ngrihemi të gjithë të mbrojmë vendin tonë.
Ushtria ukrainase numëron gjithsej 215.000 ushtarë, ndërkohë që vetëm tani në kufirin e saj, Moska ka dislokuar 100.000 trupa. Edhe pse e mohon planifikimin e një pushtimi, presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka përjashtuar mundësinë e një përgjigjeje ushtarake nëse NATO-ja, ku Ukraina kërkon të anëtarësohet, vendos të zgjerohet në lindje, gjë të cilën Rusia e konsideron të papranueshme.
Top Channel