Rrjeti elektrik i tensionit të lartë 35kV pësoi sot gjatë mesditës dy dëmtime nga subjekte private, duke sjellë stakim të energjisë në linja dhe disa n/stacione të rrugës Tiranë-Durrës.
Konkretisht, në orën 11:05 u dëmtua linja 35kV Mëzes-Valias nga një subjekt privat teksa kryente punime, duke lënë pa energji elektrike Nst Valias. Grupet e TL-së (Tensioni i Lartë) dhe të OSSH kryen manovrime të menjëhershme, duke arritur të furnizonin pjesërisht Nst Valias nga linja 35kV e Vorës.
Teksa kryheshin manovrimet, dispeceria qendrore njoftohet se në orën 11:50, një kamion i tonazhit të lartë dëmtoi linjën 35kV Shijak-Vorë (foto), duke lënë pa energji elektrike n/stacionet Shijak, Manzë, Vorë dhe Valias, përfshi dhe linjat që furnizonin subjektet e lidhura në 35kV përgjatë këtyre akseve.
Situata u normalizuar brenda 14 minutash duke i dhënë energji Nst Shijak dhe subjekteve private, më pas rreth orës 13:00 morën energji të gjitha zonat që furnizojnë n/stacionet e lartpërmendura.
Sakaq, Nst Valias vijon ende të jetë pjesërisht në punë, pasi po kryhen punime për lidhjen e kabullit të këputur nga subjekti privat.
Punonjësit e OSHEE ndodhen në terren për normalizimin sa më shpejtë të situatës, sakaq janë marrë masa ndaj palëve të treta për dëmet e shkaktuara.
Top Channel