Raketa izraelite të lëshuara nga deti Mesdhe kanë goditur sot herët portin sirian të Latakia duke shkatërruar terminalin komercial të konteinerëve, raportonin mediat siriane, në sulmin e dytë brenda një muaji ndaj impjantit të rëndësishëm.
Është diçka e rrallë goditja e portit që trajton importet e Sirisë, e vendit të shkatërruar nga lufta civile ndërkombëtare e më shumë se një dekade, pa llogaritur sanksionet ekonomike perëndimore ndaj saj.
Agjencia shtetërore e lajmeve SANA citonte burimet ushtarake të thonin se raketat izraelite që erdhën nga perëndimi goditën terminalin e konteinerëve portin e Latakia duke ndezur zjarre e duke shkaktuar dëme të mëdha.
Zyrtari shtoi se zjarrfikësit po luftonin ende me flakët rreth një orë pas sulmit, çka do të thotë se sulmi është kryer me armatime zjarrvënëse për të shkaktuar sa më shumë shkatërrim.
Mediat siriane tregonin pamje të flakëve dhe tymit që ngrihej nga terminali. Dëme kishte gjithashtu në ndërtesa rezidenciale, dyqane dhe disa vende turistike pranë portit.
Nuk u raportuan menjëherë viktima nga sulmi, i cili kishte aktivizuar sistemet mbrojtëse ajrore të Sirisë, por pa ndaluar morinë e raketave, tha agjencia SANA.
Një sulm i ngjashëm u raportua dhe më 7 dhjetor, kur avionët izraelitë goditën të njëjtin terminal, duke shkaktuar zjarre e shpërthime.
Mediat thonin se sulmi i sotëm ishte më i ashpër teksa shpërthimet ishin dëgjuar deri në Tartus, qyteti tjetër bregdetar rreth 80 kilometra larg.
Grupi monitorues britanik Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut, tha më herët se në sulmin e 7 dhjetorit ishin goditur “dërgesat e armatimeve për luftëtarët e mbështetur nga Irani”.
Nuk ka pasur ende koment nga ushtria izraelite, e cila ka kryer qindra sulme ajrore ndaj objektivave brenda Sirisë gjatë konfliktit 10-vjecar, por asnjëherë nuk pranon apo diskuton operacione të tilla.
Izraeli ka pranuar se godet objektivat ushtarake të mbështetura nga Irani në Siri, i cili është aleat i vendit dhe është ftuar nga qeveria e Bashar al-Assad të ndihmojë në sigurinë e vendit nga ndërhyrje të huaja.
Top Channel