SHBA shkurton kohën e izolimit për të infektuarit pa simptoma

28/12/2021 13:28

Shtetet e Bashkuara e kanë përgjysmuar periudhën e izolimit për personat që janë të infektuar me koronavirus, por nuk kanë simptoma. Nga 10 ditë, koha e karantinimit për këtë kategori zbret në 5 ditë.

Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve njoftuan se izolimi pesëditor duhet të përcillet me pesë ditë tjera të vendosjes së maskës kur individi i infektuar është pranë personave tjerë. Ndonëse rekomandimet e reja nuk janë të detyrueshme, ato respektohen nga bizneset amerikane dhe politikbërësit.

Ndryshimet e reja vijnë pas valës së re të shkaktuar nga varianti Omicron, i cili ka ndikuar në shumë mungesa të stafit të kompanive dhe pengesa në udhëtime. Rekomandimet e reja u mundësojnë njerëzve të kthehen më shpejt në punë.

Presidenti amerikan Joe Biden u zotua të marrë masa për të lehtësuar mungesën e testeve për COVID-19 ndërsa varianti Omicron përhapet në të gjithë shtetet e vendit këtë javë festash, duke kërcënuar të mbingarkojë spitalet dhe të prishë planet e udhëtimit.

Biden sqaroi se hapat e administratës përfshijnë aktivizimin e një ligji për Prodhimin e Mbrojtjes për të rritur prodhimin e testeve që bëhen në shtëpi dhe për ta bërë më të lehtë përdorimin e faqes Google nga amerikanët për të gjetur një qendër testimi pranë tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA