Dhoma e Përfaqësuesve (parlamenti) i Libisë ka propozuar shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale të vendit me gjashtë muaj.
Asambleja mbajti një seancë në qytetin lindor Tobruk të hënën vonë për të diskutuar mbi zgjedhjet, të cilat u planifikuan të mbaheshin më 24 dhjetor.
Kryetari në detyrë i parlamentit, Fawzi Al-Nuwairi, paraqiti disa propozime nga deputetët për zgjedhjet, njëri prej të cilëve bëri thirrje për shtyrjen e votimit me gjashtë muaj.
Javën e kaluar, Komisioni i Lartë Kombëtar i Zgjedhjeve i Libisë propozoi shtyrjen e votimeve të 24 dhjetorit me një muaj, duke përmendur pengesat për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë.
Al-Nuwairi kërkoi që komisioni zgjedhor të japë një shpjegim mbi arsyet bindëse që penguan mbajtjen e zgjedhjeve.
Ndërkohë, kryeparlamentari në detyrë tha se parlamenti do t’i kërkojë Këshillit të Presidencës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të kufizojnë lëvizjen dhe vizitat e ambasadorëve të huaj në Libi, pa detaje të mëtejshme.
Të premten, vendet evropiane dhe SHBA-ja u kërkuan autoriteteve libiane që të vendosin një datë përfundimtare për zgjedhjet pa vonesë.
Në një deklaratë të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja u bënë thirrje autoriteteve libiane “të respektojnë aspiratat e popullit për zgjedhje të shpejta duke përcaktuar me shpejtësi një datë përfundimtare për zgjedhjet dhe duke nxjerrë listën përfundimtare të kandidatëve presidencialë pa vonesë”./AA/
Top Channel