15 javë kampionat janë luajtur deri tani në Abissnet Superiore, teksa kampionati rifillon më 15 janar. Rivalitet i madh si për garën për titullin kampion, kualifikimin në Conference League dhe objektivin mbijetesë.
Në krye të renditjes ndodhet Tirana me 33 pikë, ndjekur nga Kukësi (28) dhe Laçi (27), ndërsa Kastrioti mban vendin e fundit në tabelë me vetëm 8 pikë.
Supersport ka analizuar raportin e dhjetë skuadrave të elitës në lidhje me numrin e ndeshjeve që kanë gjetur golin dhe takimet që i kanë mbyllur me portën e paprekur.
Kukësi është ekipi me sulmin më të mirë (29). Ekipi i Longos ka gjetur rrugën e rrjetës në 14 ndeshje. Verilindorët nuk kanë shënuar vetëm në përballjen në transfertë kundër Teutës, sfidë që u mbyll në barazim 0-0.
Më pas Tirana me të paktën një gol të shënuar në 13 ndeshje, ndërsa podi kompletohet nga Laçi, Partizani e Teuta me nga 12 ndeshje. Dinamo dhe Skënderbeu më keq se të gjithë sa i përket raportit gol për ndeshje. Blutë e Bledi Shkëmbit kanë gjetur rrugën e rrjetës në vetëm 7 ndeshje, teksa Skënderbeu ia ka dalë në 8 sfida.
Po ndeshjet pa pësuar gol? Në këtë aspekt dominojnë Tirana dhe Laçi. Bardheblutë e Shehit dhe kurbinasit e Mirel Josës kanë mbyllur 7 përballje me porta të paprekura. Më pas renditet Dinamo me gjashtë ndeshje pa pësuar gol.
Më keq se të gjithë deri në këtë fazë të kampionatit kanë bërë Egnatia, Partizani dhe Kastrioti. Ekipi nga Rrogozhina ka ruajtur kuadratin e paprekur në vetëm një rast (fitoren 0-1 në Laç), ndërsa “Demat” dhe skuadra krutane ia kanë dalë në dy raste.
Klubet e Superiore
Tirana +13 -7
Kukësi +14 -4
Laçi +12 -7
Vllaznia +11 -5
Partizani +12 -2
Teuta +12 -5
Skënderbeu +8 -4
Dinamo +7 -6
Egnatia +9 -1
Kastrioti +9 -2
Top Channel