Pekini ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për sjellje të papërgjegjshme dhe të pasigurt në Hapësirë, pas “takimeve të afërta” në mes të stacionit kinez dhe satelitëve të kompanisë SpaceX të Elon Musk.
Tiangong, stacioni ri hapësinor i Kinës, është dashur të kryejë manovra për të shmangur përplasjen me një satelit Starlink në muajin korrik dhe një tjetër në muajin tetor, është thënë në ankesën e Pekinit të dërguar në agjencinë hapësinore të Kombeve të Bashkuara këtë muaj.
Në ankesë është thënë se incidentet “kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e astronautëve në stacionin hapësinor të Kinës”.
“Shtetet e Bashkuara injorojnë obligimet që kanë nën traktatet ndërkombëtare, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e astronautëve tanë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian.
Starlink, pjesë e SpaceX operon me rreth 2,000 satelitë që synojnë të ofrojnë qasje në internet për pjesën më të madhe të planetit Tokë.
SpaceX është kompani private amerikane, e pavarur nga ushtria amerikane dhe agjencia amerikane hapësinore (NASA).
Megjithatë, Kina ka thënë se anëtarët e Traktatit për Hapësirë janë përgjegjës edhe për veprimet e subjekteve të tyre joqeveritare.
SpaceX nuk ka komentuar ende këtë gjë.
Top Channel