Basketboll Vllaznia-Afganistan/ Vajzat e kombëtares afgane ndeshje miqësore me vajzat e Vllaznisë

28/12/2021 15:28

Falë sportit, u larguan në kohë nga Afganistani dhe u strehuan në Shqipëri. Janë një pjesë e vajzave të Kombëtares së basketbollit të Afganistanit ndërsa të tjerat janë sërish në zonën e luftës.

Ekipi i Vllaznisë së femrave i mirëpriti në një ndeshje miqësore, pasi sporti jo vetëm i bashkon por të dhuron edhe emocione të bukura duke i ndihmuar të kalojnë periudhën e vështirë.

 “Faleminderit që na dhatë mundësinë të luajmë nje ndeshje dhe të harrojmë për pak minuta tmerrin e luftës. Fatkeqësisht nuk është ekipi i plotë pasi pjesa më e madhe e  vajzave të kombëtares janë serish në Afganistan. Situata atje është shumë keq dhe vajzat janë në rrezik. Nuk bëhet fjalë të dalin më në rrugë apo te stërviten”, tha trajneri Jamshid Akbari.

Të gjitha vajzat janë vetëm në Shqipëri pasi familjet e tyre janë në Afganistan dhe të përndjekura për shkak se ato luanin basketboll.

“Jemi me fat që jemi në Shqipëri dhe po vazhdojmë ëndrrën tonë këtu. Ne jemi të sigurta sepse falë basketbollit u arratisëm por jo familjet tona në Afganistan. Rrallë herë flas  me familjen time në Kabul por situata atje është shumë e vështirë.  Prindërit e mi dhe vëllezërit e mi janë me parime perëndimore dhe mendje hapur prandaj janë në rrezik. Janë të ngujuar dhe nëse dalin i vrasin”, tha basketbollistja Parisa Wahedi.

“Kam 9 vite që jam pjesë e kombëtares së basketbollit në Afganistan. Është hera e parë që luaj një ndeshje zyrtare dhe hera e parë  që dëgjoj hymnin kombëtar pas gjithë kësaj kohe. Kisha shumë emocione dhe shumë lot. Shumë shoqe të ekipit i kemi ende në zonën e luftës”, tha basketbollistja Malalai Anwari.

Pas ndeshjes së basketbollit të kombëtares së vajzave të Afganistanit me Vllazninë, edhe kombëtarja e Volejbollit të meshkujve zhvilloi një miqësore me ekipin shkodran.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA