“Aman ngrini 2 gishta, m’ka marrë malli”/ Rama- banorëve: Kujdes bravën, banesa edhe për ata që më shajnë me libër shtëpie!

28/12/2021 17:24

I pranishëm në ceremoninë e dhurimit të banesave të reja për 500 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Laç, ishte kryeministri Edi Rama, ambasadori turk Murat Ahmet Yörük, si dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Tejet i lumtur për këtë ditë, për të cilën thotë se ka dy vite që e pret, Kryeministri tha para banorëve se puna për rindërtimin vijon, ndërsa deklaroi se paralelisht me shtëpitë është ndërtuar edhe një infrastrukturë nëntokësore për të shmangur problemin e përmbytjes së të gjithë qytetit.

“Kam dy vjet që e pres këtë moment sepse këtu ka qenë një nga pikat më të nxehta të plagës së madhe të tërmetit. Punë madhështore, por që janë shumë më tepër se kaq. Këtu ne kemi rindërtuar shkolla dhe vazhdojmë të rindërtojmë shkolla dhe kopshte. Janë 11 të reja, një pjesë e buxhetit të shtetit, një pjesë nga fondacioni i BE. Jemi duke ndërtuar spitalin dhe në pranverë do të jetë gati, një tjetër lagje të re përballë po ndërtojmë me buxhetin e shtetit. Kemi bërë ndërhyrje masive. Pasi edhe një shi vere përmbyste gjithë qytetin. Qyteti nuk pati asnjë problem sepse është ndërtuar një infrastrukturë nëntokësore për ta zgjidhur këtë problem. Po vazhdojnë të ndërtohen një sërë banesash individuale. Nuk ka kuptim të paguajmë kosto më të lartë për shkak të kompanive dhe do ia japim lekët në dorë familjeve që t’i bëjnë shtëpitë”, tha Rama

Gjatë fjalës së tij, kryeministri nuk ka kursyer as batutat me banorët e kësaj zone që njihen si bastion i djathtë, të cilët i këshillon që të bëjnë kujdes se mos i ndërrojnë bravat.

“Ja ku jemi dhe këtë lagje që do donte ta kishte çdokush në Tiranë e keni ju, dhe ndryshe nga lagjet e Tiranës që janë me këto standarde, ju këto shtëpi do ti keni me dokumenta pronësie, duhet të bëni kujdes mos ju ndërrojnë bravën! E kam pritur këtë moment edhe për këtë arsye, shumë herë ajo partia e shumicës që po bëhen me shtëpi të re dhe janë me buzët në vesh, aman ngrini dy gishtat. Këtu është shembulli kuptimlotë që rindërtimi nuk është bërë për socialistët por për të gjithë ata që duan të bëjnë foto me mua dhe për ata që ma lexojnë librin e shtëpisë sa kaloj në rrugët e Laçit. Rindërtimi është për të gjithë. Dhe si e kam thënë ditën e parë nga dheu do i nxjerrim lekët dhe ju do hyni në shtëpia më të mira se ato që keni pasur”, u shpreh kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA