Aksidentohet familja në Milot, plagoset një grua! Shkak mungesa e sinjalistikës
28/12/2021 22:56
Një aksident është shënuar mbrëmjen e kësaj të marte pranë fushë Milotit, në aksin Laç-Lezhë.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se një mjet tip fuoristradë ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rruge, e për pasojë ka mbetur i lënduar një person.
Mësohet në autoveturë udhëtonin katër anëtarë të një familje, një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre.
Si pasojë e aksidentit ka mbetur e plagosur bashkëshortja e drejtuesit, e cila është dërguar menjëherë drejt spitalit për mjekim.
Mendohet se shkak i aksidentit të ketë qenë mungesa e sinjalistikës në rrugë!
Ndërkaq, grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel