2 anëtarë stafi të bamirësisë ‘Save the Children’ mes 35 të vrarëve nga sulmi në Mianmar

28/12/2021 21:56

OJQ-ja globale e bamirësisë “Save the Children” tha sot se ushtarët kishin nxjerrë njerëzit nga makinat, kishin arrestuar disa, kishin vrarë shumë të tjerë dhe djegur trupat e tyre.

Dy anëtarë të stafit të saj ishin mes 35 njerëzve të vrarë në një sulm për të cilin fajësohet ushtria e Mianmarit.

“Me trishtim të madh konfirmojmë se dy anëtarë të stafit tonë ishin mes të paktën 35 njerëzve, duke përfshirë gra e fëmijë, që u vranë të premten e 24 dhjetorit 2021, në një sulm nga ushtria e Mianmarit në krahinën Kayah në lindje të vendit,” shkruante në një deklaratë ‘Save The Children’.

“Dy anëtarët e ndjerë të stafit tonë ishin baballarë dhe të apasionuar në edukimin e fëmijëve, njëri 32 dhe tjetri 28 vjeçar”.

Ata ishin duke u kthyer në vendet e tyre të pounës për organizatën pas një reagimi humanitar.

“Ushtria nxorri njerëzit nga makinat, arrestoi disa, vrau shumë të tjerë dhe dogji trupat e tyre”, shtohej në deklaratë.

Kreu i organizatës Inger Ashing, citohej të kishte thënë: “Ky është një lajm i tmerrshëm. Dhuna kundër civilëve të pafajshëm dhe punonjësve të ndihmës është e patolerueshme. Ky sulm absurd është shkelje e Ligjit Ndërkombëtar Humanitar”.

“Jemi të shokuar nga dhuna ndaj civilëve dhe anëtarëve të stafit tonë, të cilët janë ndihmës të dedikuar humanitarë dhe mbështesin miliona njerëz e fëmijë në të gjithë Mianmar”, shtonte Ashing.

Save the Children ka punuar në Myanmar prej vitit 1995, me më shumë se 50 grupe partnere dhe staf prej 900 vetësh, por tashmë po ndërpret përkohësisht operacionet në Kayin pas incidentit, shtohej në deklaratë. /Anadolu Agency/

Top Channel