Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, IKSHPK, njoftoi se janë zbuluar nëntë raste me variantin Omicron të koronavirusit në vend. Njoftimi se dy prej personave te prekur vinin nga Shtetet e Bashkuara, dy nga Londra e Mbretërisë së Bashkuar, një nga Franca dhe katër raste me variantin Omicron janë pikasur në Komunën e Mitrovicës.
Këta të fundit nuk kanë udhëtuar vetë, por kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë. “Pas shfaqjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Europë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet një rëndim i situatës epidemiologjike”, tha IKSHPK-ja.
Kosova aktualisht ka shkallën më të ultë të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19 në rajon, por vazhdon të mbajë kufizime të orarit të punës dhe të lëvizjes së qytetarëve.
Autoritetet thonë se këto masa kufizuese janë të domosdoshme pasi me festat e fundvitit, është rritur edhe numri i udhëtimeve. Të dielën në Kosovë u shënuan 12 raste të reja të infektimeve nga dy mijë 430 testime të kryera ndërsa u shënua një vdekje. Deri më tani, nga COVID-19 në Kosovë kanë humbur jetën dy mijë e 990 qytetarë.
Kosova rezulton të ketë ka vaksinuar më shumë se 60 për qind e popullsisë mbi 18 vjeç, por muajt e fundit është shënuar një rënie e interesimit për t’u vaksinuar.
Top Channel