Më tepër se një udhëheqës shpirtëror… bota reflekton mbi trashëgiminë që la heroi i anti-aparteidit, Desmond Tutu

27/12/2021 08:15

Kryepeshkopi i Afrikës së Jugut Emeritus Desmond Tutu ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 90 vjeçare.

Laureati i çmimit Nobel për paqen njihej në mbarë botën për aktivizmin kundër aparteidit dhe si një mbrojtës i të drejtave të njeriut.

Emeritus Desmond Tutu ishte shumë më tepër se një udhëheqës shpirtëror. Ai e kaloi jetën e tij duke mbrojtur të drejtat civile dhe duke folur kundër padrejtësive, korrupsionit e shtypjes.

Ai donte që çdo qenie njerëzore në Tokë të përjetonte lirinë, paqen dhe gëzimin që të gjithë ne mund të gëzojmë nëse e respektojmë realisht njëri-tjetrin. Dhe për shkak se adhuronte Zotin, ai nuk i frikësohej askujt. Ai përmendte gabime kudo që shihte dhe nga kushdo që ishin kryer”, tha Thabo Makgoba kryepeshkopi anglikan i Keip Taunit.

Në vitin 1984 Emeritus Desmond Tutu u nderua me çmimin Nobel për Paqe për aktivizmin e tij kundër regjimit racist të aparteidit të Afrikës së Jugut.

Ai strehoi Nelson Mandelën ditën e parë të lirimit të tij nga burgu.

Më pas, kryepeshkopi e prezantoi atë (Nelson Mandelën) para publikut si presidentin e parë me ngjyrë të vendit në vitin 1994.

Emeritus Desmond Tutu ishte në krye të procesit të shërimit të vendit pas aparteidit. Ai kryesoi Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit, gjatë seancave të së cilit u dëgjuan rrëfime të tmerrshme e padrejtësi.

Pavarësisht vështirësive me të cilat u përball, Emeritus Desmond Tutu do të mbahet mend për aktivizmin e tij paqësor dhe aftësinë për të falur.

Reagojnë udhëheqësit botërorë

Presidenti Joe Biden shprehu pikëllimin e tij për largimin nga jeta të Desmond Tutut, mbrojtësit të të drejtave të njeriut, i cili ndihmoi në rrëzimin e aparteidit.

Në një deklaratë Presidenti dhe Zonja e Parë Jill Biden, thanë se u trishtuan shumë kur mësuan për vdekjen e tij.

Guximi dhe qartësia morale e tij ndihmuan për të frymëzuar angazhimit tonë për të ndryshuar politikën amerikane ndaj regjimit represiv të aparteidit në Afrikën e Jugut“, thuhej ndër të tjera në deklaratën e tyre.

Ish-Presidenti i SHBA-së, Barack Obama e quajti Emeritus Desmond Tutun “një këshilltar, mik e busull morale për të e shumë të tjerë”.

Dalai Lama tha se Tutu “ishte tërësisht i përkushtuar për t’u shërbyer vëllezërve dhe motrave të tij për një të mirë më të madhe, të përbashkët”.

Jam thellësisht i pikëlluar për vdekjen e Kryepeshkopit Desmond Tutu. Ai ishte një figurë e rëndësishme në luftën kundër aparteidit dhe në luftën për të krijuar një Afrikë të re të Jugut. Ai do të mbahet mend për udhëheqjen e tij shpirtërore dhe humorin e mirë e të papërmbajtshëm”, tha Kryeministri britanik Boris Johnson.

Asnjë fjalë nuk e ilustron më mirë shërbimin e tij sesa tre gjëra për të cilat ai kontribuoi: dashuri, liri dhe dhembshuri. Ai i ruajti vlerat e tij në luftën e gjatë për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut, në rolin udhëheqës të fushatës kombëtare për të vërtetën dhe pajtimin si dhe në rolin e tij si qytetar i botës. Ngrohtësia dhe dhembshuria e tij na ofruan një mesazh shpirtëror që është i përjetshëm”, tha ish-Presidenti i SHBA-së Jimmy Carter.

Ai kurrë nuk kishte frikë t’i tregonte shkelësit e të drejtave të njeriut pavarësisht se kush ishin ata.Trashëgimia e tij duhet të nderohet duke vazhduar punën e tij për të siguruar barazi për të gjithë”, tha Drejtoresha Ekzekutive e ‘Amnesty International’ në Afrikën e Jugut, Shenilla Mohamed./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA