Dhjetë ngjarjet më të kushtueshme natyrore për vitin 2021

27/12/2021 18:21

Dhjetë ngjarjet më të kushtueshme natyrore për vitin 2021 kapërcyen dëmin prej 170 miliardë dollarësh.

Përfaqësuesi i një organizate jo qeveritare britanike, Christian Aid tha se në raportin vjetor tregohet se shifra është më e lartë se ajo e vitit të kaluar dhe mbi të gjitha pasqyron ndikimin e ngrohjes globale.

Mësohet se 10 ngjarjet më ekstreme të motit shkaktuan të paktën 1.075 viktima dhe detyruan të zhvendoseshin më shumë se 1.3 milionë njerëz nga zonat e tyre të banimit.

Vitin e kaluar, dëmi ekonomik i 10 ngjarjeve më të kushtueshme të motit u llogarit në rreth 150 miliardë dollarë nga e njëjta OJQ, e cila bën me dije se shumica e llogaritjeve është bazuar vetëm tek pronat e siguruara, duke hamendësuar se dëmet e shkaktuara kapin shifra edhe më të larta.

Organizata tha se një renditje e tillë ekonomike e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ishte projektuar për vendet e pasura me infrastrukturë më të zhvilluar dhe me pasuri të siguruar, por sipas saj ngjarjet më shkatërruese të motit ekstrem për vitin 2021 ndodhën në vendet e varfra, të cilat kanë kontribuar shumë pak në përkeqësimin e kushteve klimaterike, por edhe ku pjesa më e madhe e dëmeve materiale nuk ishte siguruar.

Christian Aid tha se në Sudanin e jugut kostoja e shkaktuar nga përmbytjet që preken rreth 800 mijë njerëz nuk mund të vlerësohej.

Fatkeqësia natyrore më e kushtueshme ishte uragani Ida, në fillim të muajit shtator, e cila shkaktoi përmbytje në disa shtete amerikane dhe që vlerësohet të ketë shkaktuar një kosto ekonomike prej 65 miliardë dollarësh.

Përmbytjet e muajit korrik në Gjermani, Belgjikë dhe vendet fqinje u renditën në vend të dytë me një kosto prej 43 miliardë dollarë. Ndërsa stuhia e borës që arriti deri në jug të Teksasit, duke lënë pa energji elektrike pesë milionë njerëz kapi një kosto prej 23 miliardë dollarësh.

Përmbytjet në Henan të Kinës në muajin korrik kapën shifrën prej 17 miliardë dollarësh.

Kjo fatkeqësi natyrore u pasua me një tjetër përmbytje në British Columbia, Kanada dhe që kapi vlerën e 7 miliardë dollarëve. Temperaturat e ulëta në fund të muajit prill në Francë shkatërruan vreshtat, duke shënuar një dëm prej 5.6 miliardë dollarë.

Cikloni Yaas në Indi dhe Bangladesh shkaktoi një dëm prej 3 miliardë dollarësh, gjithashtu përmbytjet në Australi shkaktuan 2.1 miliardë dollarë dhe Tajfuni In-Fa në Kinë 2 miliardë dollarë dhe cikloni Tuktae në Indi dhe Sri Lanka shkaktoi një dëm prej 1.5 miliardë dollarë.

Në mes të muajit dhjetor, agjencia e sigurimeve Swiss Re, pas përllogaritjes në të gjithë botën të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore për vitin 2021, publikoi një shifër prej 250 miliardë dollarë, 24% më shumë se në vitin 2020.

Shkencëtarët mendojnë se fatkeqësitë natyrore kanë ekzistuar gjithmonë, por aktiviteti njerëzor ka rritur ndikimin e tij në ndryshimet klimaterike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA