Kryepeshkopi Desdmond Tutu, laureat i Çmimit Nobel për Paqen dhe një nga ikonat e luftës kundër aparteidit në Afrikën e Jugut ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare. Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.
Si kryepeshkop i Johanesburgut dhe më vonë i Cape Town-it, Tutu iu përkushtua nismave të shumta politike, duke u radhitur në krah të protestave kundër aparteidit, politikës së ndarjes racore në Afrikën e Jugut që kishte filluar nga fundi i viteve 1940 dhe e krijuar nga pakica e bardhë që ishte në pushtet.
Së bashku me aktivistë të tjerë të mëdhenj si Neslon Mandela, luftoi për t’i dhënë fund segregacionit, duke mbrojtur vazhdimisht idenë për të mbajtur vetëm protesta paqësore.
Pas lirimit të Mandelës në 1990 dhe zgjedhjes së tij si president i vendit në vitin 1994, Tutu u bë kryetar i një komisioni të ngarkuar me hetimin e rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut që ndodhën gjatë aparteidit.
Tutu lindi më 7 tetor të vitit 1931 në Klerksdorp, një qytet rural rreth 160 kilometra në jugperëndim të Johanesburgut në një familje me kushte modeste. Ai studio për mësues, para se të ndryshonte mendje dhe të vendoste të bëhej prift.
Në vitet e tij të shkollimit, ai jetoi në pjesën më të madhe jashtë vendit, duke studiuar teologji në Universitetin e Londrës në mesin e viteve 1960, Ai u kthye në Afrikën e Jugut, ku dhe pati një karrierë të shpejtë kishtare, duke treguar gjithmonë se kishte një vëmendje të veçantë për çështjet që lidheshin me të drejtat e njeriut.
Karizmatik dhe i aftë për të mbajtur fjalime shpesh të përshkruara si emocionuese dhe magjepsëse, Tutu u shndërrua shpejt në një nga kundërshtarët më të mëdhenj të aparteidit. Ai ishte një nga figurat më autoritare që mbronte idenë e heqjes së segregacionit në Afrikën e Jugut dhe një prej mbështetësve kryesor të idesë së vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare kundër Afrikës së Jugut me qëllimin për t’i ushtruar presion klasës politike të saj për të garantuar të drejtat e njeriut për të gjithë popullsinë dhe pa dallime.
Tutu mbajti gjithmonë një distancë të caktuar nga Kongresi Kombëtar Afrikan, partia kryesore që mbështeti lëvizjen çlirimtare, e cila pas përfundimit të aparteidit, udhëhoqi vendin më shumë se dy dekada. Mandela ishte një anëtar i kësaj partie. Tutu s’e mbështeti kurrë krahun e armatosur të partisë dhe shpesh ishte kritik ndaj liderëve të saj.
Gjithsesi, ai ndante po të njëjtin vizion si Mandela, veçanërisht për nevojën për të pasur një shoqëri pa diskriminim, ku çdo anëtar i saj mund të jetonte me të drejta të barabarta. Një angazhim i tillë, kaq madhor për historinë e vendit, i dha atij Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1984.
Kur Mandela u zgjodh si president i Afrikës së Jugut, dhjetë vjet më vonë, i kërkoi Tutu të kryesonte Komisionin e të Vërtetës dhe Pajtimit, që ishte një gjykatë për mbledhjen dhe vlerësimin e dëshmive mbi krimet e kryera gjatë segregacionit nga të dyja palët. Seancat dëgjimore të këtij procesi transmetoheshin shpesh në televizion, duke i dhënë Tutu-s mundësinë për të komunikuar me miliona njerëz dhe jo vetëm në Afrikën e Jugut, por edhe në pjesën tjetër të botës.
Ky proces gjyqësor ishte një moment i rëndësishëm në tranzicionin e Afrikës së Jugut drejt fundit të aparteidit, por pavarësisht kësaj mori disa kritika në lidhje me metodat e përdorura. Në kohën e tij në krye të TRC, Tutu u sulmua ashpër nga anëtarët e ekstremit të djathtë, por edhe nga disa anëtarë të ANC-së. Dëshmitë e ashpëra dhe të dhimbshme të atyre që kishin vuajtur dhunën gjatë segregacionit patën gjithashtu një ndikim të fortë te Tutu, i cili kurrë nuk e fshehu vuajtjen dhe tronditjen e tij.
Në fund të viteve 1990, Tutu u diagnostikua me kancer të prostatës. Reduktoi angazhimet publike dhe iu përkushtua më shumë familjes së tij, por nuk mungoi të kritikonte KKSH-në dhe të vazhdonte të interesohej për politikën ndërkombëtare. Në vitin 2015, nisi një iniciativë për t’u kërkuar udhëheqësve të shteteve në mbarë botën që t’i bashkohen një plani për të kaluar në burimet e rinovueshme të energjisë brenda 35 viteve për të reduktuar efektet e ndryshimeve klimatike.
Duke dhënë lajmin për vdekjen e tij, presidenti i Afrikës së Jugut Ramaphosa tha: “Vdekja e Kryepeshkopit Emeritus Desmond Tutu është një tjetër kapitull zie në përcjelljen e kombit tonë ndaj një brezi të shquar të Afrikës së Jugut që trashëguan dhe lanë pas një shtet të çliruar”.
Top Channel