Shumë shqiptarë zgjedhin të kalojnë festat e fundvitit jashtë vendit e duket se Dubai është destinacioni i tyre i preferuar, ndjekur nga Stambolli.
Këtë e konfirmojnë edhe tur operatorët sipas të cilëve rezervimet po orientohen drejt vendeve që kanë më pak pengesa për të kaluar për shkak të pandemisë, ku pas tij kërkesa të shtuara ka edhe për vendet e rajonit.
“Kërkesat dhe rezervimet janë kryesisht drejt vendeve që kanë më pak pengesa, shtuar edhe një faktor tjetër fillimi i fluturimeve direkte nga Shqipëria drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, Dubai dhe Abu Dabi, duke bërë që të vendosen në vend të parë me 10 fluturime rreth fundvitit. Në vend të dytë është Stambolli.
Këto janë dy destinacionet që marrin në masë të madhe. Me fluturime ka edhe drejt Parisit në mënyrë të kufizuar apo drejt Madridit dhe Barcelonës që janë destinacione me fluturimet direkte. Me autobus apo lëvizje individuale mbetet rajoni, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova apo dhe Bansko në Sofje”, tha Besnik Vathi, operator turistik.
Ndërsa brenda vendit alternativat më të pëlqyera për natën e ndërrimit të viteve mbeten destinacionet dimërore si Korça si dhe strukturat akomoduese në zonat bregdetare.
“Organizimet kryesore në Shqipëri për festat e fundviti janë në Durrës në hotelet e plazhit, në Tiranë, Vlorë dhe në Korçë. Këto janë destinacionet që Shqipëria ofron për shqiptarët duke shtuar se hotelet e plazhit në Durrës janë destinacione të huajsh që zgjedhin të kalojnë fundvitin jashtë vendit e tyre, kuptohet janë të paktë në numër”, tha Besnik Vathi, operator turistik.
Sipas operatorëve turistikë zbutja e masave ndaj Covid-19 ka bërë që fluksi i lëvizjeve të shqiptarëve që udhëtojnë jashtë në fundvit të rritet këtë periudhë në raport me një vit më parë, megjithatë shtojnë se është më i ulët se në vitet normale të parakrizës.
Top Channel