Situata e rëndë sociale e familjeve, detyron disa nga fëmijët në Kosovë të dalin të shesin, apo të kërkojnë lëmoshë rrugëve. Në Prishtinë, kjo mund të vërehet në disa lagje.
Në çdo stinë, ata zakonisht kërkojnë para ose shesin gjëra të vogla ushqimore. Disa prej tyre qëndrojnë afër semaforëve dhe u afrohen makinave për t’i pastruar dritaret dhe për të kërkuar lëmoshë.
Sipas Policisë së Kosovës, këta fëmijë qëndrojnë në kushte të papranueshme fizike, sociale, psikologjike, nuk shkojnë në shkollë dhe shpeshherë janë subjekt i formave të ndryshme të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.
Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Policia e Kosovës ka identifikuar rreth 200 persona kërkues lëmoshe. Kurse, në muajin korrik nga data 12 deri më 16, gjatë një plani operativ të Policisë së Kosovës, janë identifikuar 66 lëmoshëkërkues. Prej tyre 42 fëmijë dhe 24 të rritur – 45 ka qenë numri i fëmijëve nga Shqipëria, ndërsa 21 i atyre nga Kosova.
Vitin e kaluar, sipas të dhënave, janë evidentuar 236 persona, kurse vitin 2019 ky numër ishte 232 persona. Autoritetet përgjegjëse pranojnë se është vështirë përcaktimi i numrit të saktë të kësaj kategorie.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare konsiderojnë se numri është dukshëm më i madh. Klevis Vajqari nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, thotë se shifrat janë alarmante.
Organizatat joqeveritare, anëtare të KOMF-it, për pak ditë, thotë ajo, kanë identifikuar më shumë se 100 fëmijë vetëm në komunën e Prishtinës dhe Prizrenit.
“Investimi i Qeverisë dhe institucioneve është minimal, mos të themi zero. Duhet të investohet më shumë për të ndërmarrë më shumë masa për t’i hequr nga rruga këta fëmijë”, thotë ajo.
Vajqari thotë se institucionet shtetërore duhet të krijojnë mekanizma për të identifikuar, mbrojtur dhe ofruar shërbime sociale për këta fëmijë.
“Përveç në rastet kur ka aksione policore, nuk bëhet identifikim dhe nuk futen në sistem të fëmijëve që punojnë në forma të ndryshme në rrugë. Nuk bëhet identifikim për shkak se shërbimet mungojnë”, thekson ajo.
Qendra për Punë Sociale ka ofruar shërbime për këta fëmijë, siç janë shërbimet shëndetësore, mbështetje për inkuadrim në shkollim, përmes orëve plotësuese dhe shkollim të rregullt.
Blerina Thaçi, zyrtare për mbrojtje të fëmijëve dhe riintegrim në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, thotë se në disa raste janë marrë masa për largimin e këtyre fëmijëve nga rruga duke bashkëpunuar me Qendrat për Punë Sociale në dhënien e shërbimeve të nevojshme.
Angazhim më të shtuar karshi këtij problemi kërkon edhe Egzona Gashi nga organizata “Terre des Hommes”. Sipas saj, fëmijët në situatë rruge vazhdojnë të mbesin shqetësim i pazgjidhur ndër vite.
“Dhe mbesin grupi më i rrezikuar, pasi ndikon në sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Madje, në shumë raste braktisin procesin mësimor”, thotë Gashi.
Institucioni i Avokatit të Popullit, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se “institucionet e Kosovës do të duhej të bënin më shumë për ta parandaluar, trajtuar dhe adresuar në mënyrë adekuate çështjen e fëmijëve në situatë rruge, meqë gjatë viteve ky fenomen nuk ka pësuar rënie”.
Avokati i Popullit vitin e kaluar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që me rastin e miratimit të pakove mbështetëse, të përfshijnë masa specifike për t’i mbështetur fëmijët në situatë rruge. Megjithatë, Avokati i Popullit thotë se kjo kërkesë nuk është përmbushur.
Në kuadër të pakos janë ndarë shtesa, nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për fëmijët nga 0 deri në 24 muaj. Kjo përjshton fёmijёt e moshёs 16-18 vjeҫ dhe i prioritizon fёmijёt mё tё vegjёl nё moshё.
Edhe pse kjo mund tё shihet si njё ndihmё e vogёl, nga e cila mund tё pёrfitojnё edhe fёmijёt nё situatё rruge mirёpo duke marrё parasysh kufizimet nё moshё, ёshtё vёshtirё për t’u vlerёsuar se sa mund tё përfitojë ky grup i fëmijëve nga shtesa.
Në Kosovë nga viti 2020 ekziston Ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ky ligj mbron fëmijët nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës./ REL
Top Channel