Top Channel këtë vit ka zgjedhur të urojë festat me motivin e kompozuar në vitin 1979 nga Aleksandër Peçi me tekst te Kiço Blushit, si kolonë zanore e filmit “Në shtëpinë tonë” me regji të Dhimitër Anagnostit, një motiv që i ka rezistuar kohës dhe është ende shumë e dashur jo vetëm për melodinë por edhe për tekstin.

Kënga është një himn për ngrohtësinë dhe sigurinë që të jep shtëpia, familja, miqtë dhe energjia e mirë mes njerëzve. Edhe kjo është një nga arsyet se përse këtë vit Top Channel për herë të parë në kartolinën e festave vendos edhe mesazhin e Presidentes së Top Media, Vjollca Hoxha.

Ajo përmend familjen e saj të vogël, Lorin, Sarën, Redian, Itanin për vazhdimin e ëndrrës së Tanit. Por shtëpia që krijoi Tani është shumë e madhe, janë me qindra e qindra anëtarë të saj që punojnë çdo orë për të mbajtur ndezur dritën që përhapet në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve në botë.

Sekuencë nga videoklipi i këngës

Pikërisht këtë vit, në këngën përshëndetëse të festave shtëpia jonë, ata, njerëzit e padukshëm të këtij televizioni të madh janë vendosur para kamerës.

Janë kameramanët, montazhierët, teknikët e ndriçimit, punëtorët e skenës, grimierët, garderobistët, koordinatorët, transportuesit, dhe gazetarët janë me qindra e qindra, që me njëri tjetrin komunikojmë thjeshtë me emrat si në një shtëpi të madhe. Sepse Top Channel është vërtetë shtëpia e tyre.

Shtëpi e ëmbla shtëpi, ku kthehesh me mall e nga ku nuk do të ikësh kurrë. Shtëpia ku fton dhe pret miqtë e më të dashurit. Nuk ka vend më mikpritës, më të ngrohtë dhe ku ndjehesh mirë dhe i sigurt, se sa shtëpia jote.

“Ndonjëherë drita e secilit shuhet, por ndizet nga shkëndija e personit që ka pranë. Më 15 Dhjetor 2021, ditën kur Top Channel mbushi 20 vjet, të gjithë ata që bëjnë televizionin janë përpara kamerave… janë ata që mbajnë ndezur këtë dritë”, ky është mesazhi në fillim të këngës përshëndetëse të fundvitit 2021.

Në videoklipin e Top Channel do shikoni personazhet që ndiqni çdo natë në ekran, dhe më të shumtë në numër të panjohurit për publikun, ata që janë zemra, motorri dhe fuqia që vë në lëvizje çdo ditë këtë makineri të madhe.

Kënga e zgjedhur për festat e fundvitit 2021 nga Top Channel do mbahet gjatë e do dëgjohet me aq dëshirë sa edhe shumë këngë të tjera që Top Channel ka rikthyer çdo fundvit.

Interpretuar nga Stenald Mëhilli, Salsano Rrapi, Fjoralba Ponari dhe Kori i Fëmijëve të ‘Shoku Ynë Tili’ ky është urimi i Top Media në këtë prag ndërrim Vitesh.

Kushtuar atyre që ishin, janë dhe do të jenë banorët e kësaj shtëpie të madhe.

Faleminderit!

FOTO GALERI
6/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA