Gjykata e Tiranës ka publikuar arsyen e refuzimit të kërkesës së gjyqtarit Agron Zhukri për t’u tërhequr nga shqyrtimi i çështjes së Statutit të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.
Në sqarimin e saj theksohet se në zbatim të Kodit të Procedurës Civile, gjykata nuk mund të refuzojë të shqyrtojë dhe të japë vendime për çështje që i paraqiten për shqyrtim, për palët që vënë në lëvizje gjykatën për fillimin e një procesi gjyqësor, përveç kur ligji parashikon ndryshe.
Në njoftimin e gjykatës theksohet se gjyqtari Zhukri, pasi është njohur me kërkesën, ka vlerësuar se ka shkaqe të arsyeshme për të mos marrë pjesë në shqyrtimin e saj dhe i ka paraqitur Kryetarit të Gjykatës kërkesën për heqje dorë nga gjykimi i çështjes.
Referuar të njëjtës bazë ligjore, Kryetari i Gjykatës, pasi ka vlerësuar arsyet e paraqitura për përjashtimin e tij nga shqyrtimi i çështjes, ka vendosur mospranimin e kërkesës dhe vijimin e gjykimit të çështjes po nga i njëjti gjyqtar.
“Kërkesëpadia e paraqitur në vitin 2018, është një gjykim themeli me palë ndërgjyqëse paditës dhe i paditur, ndërkaq që kërkesa e paraqitur në vitin 2021, është një kërkesë për depozitim ndryshimesh të statutit të partisë paraqitur nga një grup individësh”, citohet nga njoftimi i gjykatës.
PD tashmë është me dy statute në Gjykatën e Tiranës. Grupi i Rithemelimit i Partisë Demokratike dhe juristët e tyre kanë depozituar në gjykatë për regjistrim statutin e ri, të cilin e miratoi në 11 dhjetor, në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha. Ky vendim vjen vetëm dy ditë, pasi Lulzim Basha depozitoi në gjykatë, po për regjistrim statutin e ndryshuar në Kuvendin e Partisë Demokratike në 17 korrik, megjithëse 5 muaj me vonesë.
PD-ja gjendet para një situate aspak të lehtë, me 2 statute. Një i bërë në Kuvendin e 17 korrikut dhe një i bërë së fundmi në Kuvendin e Berishës në 11 dhjetor. Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës.
Top Channel