Sauditët “tradhtojnë” SHBA: Ndërtojnë raketa balistike me Kinën

24/12/2021 15:02

Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë informacione se Arabia Saudite po prodhon në mënyrë aktive raketat e veta balistike me ndihmën e Kinës, një zhvillim ky që mund të ketë pasoja në Lindjen e Mesme.

Është e ditur se ky vend ka blerë raketa balistike nga Kina në të kaluarën, por kurrë nuk ka qenë në gjendje të krijojë vetë të tilla, thotë CNN.

Imazhet satelitore, sipas gjigantit mediatik amerikan,  sugjerojnë gjithashtu se Mbretëria aktualisht po prodhon armë ndoshta në më shumë se një zonë.

Zyrtarë amerikanë të agjencive të shumta, duke përfshirë Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, janë informuar muajt e fundit rreth teknologjisë së ndjeshme të raketave balistike midis Kinës dhe Arabisë Saudite.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden tani po përballet me pyetje gjithnjë e më shpeshta se nëse përparimet e raketave balistike saudite mund të ndryshojnë dinamikën e fuqisë rajonale dhe të komplikojnë përpjekjet për të zgjeruar kushtet e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, e cila përfshinte kufizimet në teknologjinë raketore – një qëllim ky i përbashkët i SHBA-së, Europës, Izraelit dhe vendeve të Gjirit.

Irani dhe Arabia Saudite janë armiq dhe kjo do të bëjë që iranianët të refuzojnë ndalimin e prodhimit të raketave balistike nëse dëshmohet që edhe Arabia Saudite ka filluar të prodhojë të sajat.

 

Top Channel