Presidenti Bolsonaro paditet për shtyrje të vaksinimit të fëmijëve nga 5-11 vjeç

24/12/2021 03:13

Deputetë brazilianë ngritën padi në Gjykatën e Lartë kundër presidentit të vendit, Jair Bolsonaro, për shtyrjen e vaksinimit të fëmijëve nga 5 deri në 11 vjeç pavarësisht rekomandimit të bërë nga Agjencia Kombëtare e Mbikëqyrjes Shëndetësore (ANVISA).

Senatori Alessandro Vieira dhe deputetja Tabata Amaral, të dy opozitarë, argumentojnë se kreu i shtetit dhe ministri i Shëndetësisë, Marcelo Queiroga, dyshohet se kanë kryer krim duke krijuar pengesa dhe vonesa artificiale mbi blerjen e vaksinave për të miturit.

Bolsonaro, i cili ka një vajzë 11-vjeçare, kritikoi fillimin falas të vaksinimit të fëmijëve, dhënë nga ANVISA, duke argumentuar se ”ky do të kishte qenë një vendim shumë i nxituar”.

Për të rritur ndërgjegjësimin për këtë temë, qeveria sot nisi një konsultim në internet, duke ftuar i prindërit të komentojnë mbi këtë çështje. Votat do të mblidhen deri më 2 janar 2022, ndërsa më 5 janar, Ministria braziliane e Shëndetësisë do të mbajë një mbledhje për të vendosur nëse do të vaksinohen fëmijët apo jo.

Top Channel