Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar rregullat e reja për të udhëtuar drejt Kanadasë, duke nënvizuar se nga data 21 dhjetor të gjithë personat që kanë udhëtuar jashtë Kanadasë për më pak se 72 orë, duhet të kenë një test negativ PCR në kthim, i cili nuk duhet të jetë marrë në Kanada.
Ministria sqaron se të gjithë personat, para udhëtimit drejt Kanadasë duhet të shkarkojnë aplikacionin ArriveCan dhe të ngarkojnë në këtë aplikacion të gjithë informacionin e kërkuar, duke përfshirë këtu edhe statusin e vaksinimit dhe të testit PCR.
Udhëtarët e pavaksinuar që rikthehen në Kanada duhet të karantinohen për 14 ditë.
Në mbërritje në Kanada, udhëtarët mund të njoftohen nga oficerët e shërbimeve kufitare mbi përzgjedhjen rastësore të tyre për një test të detyrueshëm të mbërritjes.
Ministria shpjegon më tej se të vaksinuar plotësisht konsiderohen udhëtarët, të cilët të paktën 14 ditë para hyrjes në Kanada kanë marrë të paktën 2 doza të vaksinave ose kombinim të vaksinave të pranuara nga qeveria kanadeze, ose të paktën një dozë të vaksinës Janssen/Johnson & Johnson.
Vaksina të pranuara nga qeveria kanadeze janë:
AstraZeneca/COVISHIELD(ChAdOx1-S,Vaxzevria, AZD1222); Bharat Biotech(Covaxin, BBV152 A, B, C); Janssen/Johnson & Johnson; Moderna (mRNA-1273); Pfizer-BioNTech (Comirnaty, tozinameran, BNT162b2); Sinopharm BIBP (BBIBP-CorV); Sinovac(CoronaVac, PiCoVaç);
Po ashtu, njoftimi i ministrisë thekson se janë hequr masat e jashtëzakonshme për udhëtarët që kthehen nga Botsvana, Egjipi, Eswatini, Lesoto, Malawi, Mozambiku, Namibia, Afrika e Jugut dhe Zimbabve.
Top Channel