Mesazhi i Papa Françeskut për Krishtlindje: Vështroni përtej shkëlqimit të dritave dhe kujtohuni për të varfëri

24/12/2021 21:32

Papa Françesku, duke udhëhequr katolikët në festimin e Krishtlindjes, tha të premten se njerëzit që janë indiferentë ndaj të varfërve fyejnë Zotin, duke u bërë thirrje të gjithëve që “të shikojnë përtej gjithë dritave dhe dekorimeve” dhe të kujtojnë më nevojtarët.

Në Krishtlindjen e tij të nëntë, Papa Françesku kremtoi një meshë solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit për rreth 2 mijë persona, me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të COVID-19 në gati një të pestën e përmasave të viteve para pandemisë.

Pak minuta para fillimit të meshës së Krishtlindjes, Italia raportoi një rekord të dytë të njëpasnjëshëm ditor të rasteve të COVID-19, me infeksionet e reja që kanë arritur në 50.599 raste në ditë.

Papa Françesku, i veshur me rrobë të bardhë, e ndërtoi predikimin e tij me temën se Jezusi lindi pa asgjë.

“Vëllezër dhe motra, duke qëndruar përpara djepit, ne soditim atë që është qendrore, përtej të gjitha dritave dhe dekorimeve, të cilat janë të bukura. Ne soditim fëmijën”, tha ai në predikimin e meshës së bashku me më shumë se 200 kardinalë, peshkopë dhe priftërinj. Me përjashtimin e Papës, të gjithë pjesëmarrësit mbanin maska.

Papa Françesku, i cili mbushi 85 vjeç javën e kaluar, tha se foshnja Jezus i lindur në varfëri duhet t’u kujtojë njerëzve se shërbimi ndaj të tjerëve është më i rëndësishëm se kërkimi i statusit ose dukshmërisë sociale, apo kalimi i një jete në kërkim të suksesit.

“Është tek ata (të varfërit) që ai dëshiron të nderohet”, tha Papa Françesku, i cili e ka bërë mbrojtjen e të varfërve një gur themeli të papatit të tij.

“Në këtë natë dashurie, le të kemi vetëm një frikë: se mund të ofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar të varfërit me indiferencën tonë. Jezusi i do ata shumë dhe një ditë ata do të na mirëpresin në parajsë”, tha ai.

Të shtunën, Papa Françesku do të japë bekimin dhe mesazhin e tij që jepet dy herë në vit, “Urbi et Orbi” (drejtuar qytetit dhe botës), nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA