Me automatik në shtëpi, kapet përkrahësi i personave që hynë të armatosur në një lokal në Lezhë

24/12/2021 12:05

Një armë zjarri automatik me 2 krehëra dhe 132 fishekë luftarakë janë sekuestruar këtë të enjte në Pllanë të Lezhës. Një 21-vjeçar është arrestuar si posedues i armës pa leje në banesë.

Bazuar në hetime,  ai dyshohet si përkrahës i autorëve të ngjarjes së ndodhur në datën 13.11.2021, në një lokal në Zejmen, Lezhë, ku hynë të armatosur disa persona të maskuar, të cilët janë shpallur në kërkim nga Policia.

Sekuestrohen armë zjarri automatik dhe municion luftarak. Vihet në pranga poseduesi, person me precedentë të theksuar kriminal. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar, si dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të armëmbajtjes pa leje, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi A. L. mbante armë pa leje në banesë, në fshatin Pllanë, Lezhë, kanë ushtruar kontroll në banesën e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri automatik me 2 krehëra dhe 132 fishekë luftarak. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: A. L., 21 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, me precedentë të mëparshëm kriminal”, sipas policisë.

Sipas policisë, Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA