Greqia ndalon festimet/ 33 raste me Omicron. Rikthehen maskat në ambiente publike

24/12/2021 12:13

Megjithë temperaturat e ulta, dhjetëra qytetarë presin me durim për tu vaksinuar pa mbyllur takim në qendër të Selanikut në pikat e lëvizshme të vaksinimeve që funksionojnë në çdo qytet në një përpjekje për të frenuar përhapjen e variantit Omicron të koronavirusit, ndërsa vetëm 10 ditët e fundit mbi 500 mijë të tjerë janë regjistruar për të kryer dozën e tretë të vaksinës.

Ndërkohë qeveria greke ka ndalur festimet publike të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe ka rivendosur përsëri rregullin për mbajtjen e maskave kudo, edhe në rrugë e ambiente të hapura, masa që kanë hyrë në fuqi prej orës gjashtë të mëngjesit të së premtes dhe do të vazhdojnë deri në datën 3 janar.

Sipas tyre, në supermarkete apo në mjetet e transportit publik, qytetarët duhet të mbajnë dy maska të zakonshme ose një prej atyre që ofrojnë mbrojtje të lartë (ΚΝ95 ose FFP2).

Sa u përket të huajve që vizitojnë vendin, këshillohet të kryejnë dy teste PCR disa ditë pas mbërritjes, ndërsa përveç festimeve është ndaluar dhe hyrja e tifozëve në stadium. Për të gjithë ata që nuk do të respektojnë masat e reja, gjobat variojnë nga 150 deri në 1500 euro.

Mbrëmjen e së enjtes, autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se numri i rasteve me variantin Omicron në Greqi ka shkuar në 33, 18 prej tyre vetëm në Kretë, ndërsa po analizohen 98 infektime të tjera që dyshohet se i përkasin të njëjtit variant.

Shqetësimi më i madh i qeverisë greke me Krishtlindjen e dytë të pandemisë është se ekonomia e saj, që vërtet doli nga vala e parë e pandemisë vitin e kaluar në një gjendje relativisht më të mirë se disa vende të tjera europian, tani nuk mund të durojë një lockdown të ri dhe sidomos një presion akoma më të madh në sistemin e saj spitalor.

Në 24 orët e fundit, përsëri numri i infektimeve me koronavirus në vend është rritur me mbi 6670 raste, 71 qytetarë kanë humbur jetën, ndërsa të intubuar janë 655 pacientë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA