Një 35-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një makine me targa të huaja. Viktima Can Karriqi, banues në lagjen nr.1 në Bathore, është gjetur i pajetë në vendin e quajtur kodër Kamzë, në Tiranë, mbrëmjen e sotme.
Ndërsa policia është duke vijuar hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit/ ve, burime për gazetaren Anila Hoxha bëjnë me dije se viktima, i cili është qëlluar me 4 plumba, është shok i ngushtë me Erigers Mihasin dhe Armand Dumanin.
Këta dy të fundit u vranë me breshëri kallashnikovi brenda një makine Audi të bardhë në lagjen e Astirit, në vendin e quajtur Ozone.
Mësohet gjithashtu nga burimet e gazetares Anila Hoxha se Karriqi para se të gjendej i pajetë kishte pirë kafe pranë lokal ‘G’ i shoqëruar nga një vajzë. Më pas ka dalë prej andej dhe është gjetur pa shenja jete.
Vrasja e Erigers Mihasit dhe Armand Dumanit
Ekzekutimi mafioz i dy shokëve të ngushtë ndodhi mbrëmjen e 13 nëntorit 2021.
Vetë skema e vrasjes dhe saktësia për të qëlluar drejt shënjestrës i çon hetimet drejt pistës së vrasjes me dashje nga vrasës me pagesë.
Mësohet se automjeti tip Audi ku udhëtonin viktimat është qëlluar në ecje dhe më pas ka ndaluar në një pjesë të rrugës, dhe dy mjetet po udhëtonin nga pallati me shigjeta në drejtim të rrethrotullimit të ish sheshit shqiponja.
32-vjeçari Erigers Mihasi sapo ishte kthyer nga Gjermania. Ai ka qenë një nga njerëzit më të besuar të biznesmenit të lojërave të fatit, Vis Martinaj, dhe kishte precedentë të mëparshëm penal. Ishte liruar nga burgu në vitin 2019, dhe ishte shpallur sërish në kërkim për një arsenal armësh që ishte zbuluar në zonën e Yrshekut.
Mihasi u arrestua për grabitjen dy prindërve të moshuar të Elton Çiços në Tepelenë, por u la sërish i lirë brenda muajsh.
Së fundi, Mihasi frekuentonte xhaminë, por nuk mundi t’i shpëtojë të kaluarës së tij të errët, ku duket se autorët kishin ende ‘hesape’ të palara.
32-vjeçari dhe miku i tij, Armand Dumani 26-vjeç, vdiqën në vend, brenda mjetit tip “Audi”, teksa po lëviznin nga zona e ish-doganës drejt Pallatit me Shigjeta, rreth orës 19:30.
Top Channel