Një vajzë e akuzuar për vrasjen e motrës së saj në maj të këtij viti në Fushë Kosovë është shpallur e pafajshme.
Ajo ka mohuar fajësinë lidhur me këtë rast dhe ka thënë se më herët se kishin pasur debate me njëra tjetrën, gjë e cila kishte ndikuar në gjendjen e të dyjave.
Ajo po ashtu ka thënë se motra e saj, tani e ndjera T.S vet kishte bërë vetëvrasje.
Prokurori Beqiri tha se pas pranimit të raportit psikiatrik ka propozuar që ndaj të akuzuarës F.S, të përdoret terapia kur të jetë e nevojshme.
E akuzuara F.S dhe mbrojtësi i saj, avokati Halit Shaljani kanë kërkuar nga gjykata që t’i hiqet masa e paraburgimit ose siç tha avokati Shaljani nëse një propozim i tillë nuk aprovohet atëherë t’i vazhdohet paraburgimi të mbrojturës së tij në një institucion shëndetësor.
Një propozim i tillë është kundërshtuar nga prokurori Beqiri, e më pas është refuzuar heqja e masës së paraburgimit nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti.
Ndërsa, sa i përket propozimit për vazhdimin e masës së paraburgimit në institucion shëndetësor, gjykatësi Shyti tha se do të vendosë jashtë seance.
Po ashtu, gjykatësi Shyti ka njoftuar palët se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesat për rënie të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 6 dhjetor 2021, F.S po akuzohet se më 9 maj 2021 në fshatin Vrangoli, Komuna Fushë Kosovë në dhomën e tani të ndjerës T.S ka vrarë motrën e saj T.S.
Sipas të dhënave, ndërsa e ndjera T.S ishte e shtrirë në krevatin e dhomës së saj, e pandehura fillimisht e ka shtrënguar në qafë e më pastaj e ka lidhur edhe me shami në fyt duke i bllokuar frymëmarrjen dhe më pas ka ikur duke kërcyer nga dritarja.
Top Channel