Skandali me pagat/ Zbulohet punonjësja e Tatimeve e lidhur me krijimin e dokumentit, u kryen rreth 640 veprime për gati 3 muaj

23/12/2021 12:48

Prokuroria shqiptare njoftoi të mërkurën se ka nisur hetimet për publikimin e pagave të mbi 630 mijë punonjësve shqiptarë dhe të huaj, si në sektorin publik dhe atë privat. Ky material u shpërnda fillimisht në aplikacionin “ËhatsApp” dhe për të vazhduar më pas në rrjetet sociale dhe në disa media on-line.

Në lidhje me këtë rrjedhje informacioni, Report TV ka mësuar se dokumenti ka dalë nga Drejtoria e Tatimeve dhe punonjësja që ka hartuar dokumentin është Mimoza Seraj. Dyshimet janë shtuar akoma edhe më shumë, pasi nga analiza e dokumentit të shpërndarë në transfer, del një user me emrin Moza Seraj. Kjo e fundit, rezulton të ketë qenë drejtoreshë sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Mësohet se përmes “userit” të saj është krijuar ky file, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është ajo personi që e ka publikuar listën. Seraj ka dalë në pension në vitin 2019. Megjithatë, lista është vjedhur në mënyrë manuale dhe nuk bëhet fjalë për një sulm kibernetik.

Në këtë rast, marrja e të dhënave në mënyrë kaq masive nuk mund të bëhet nga askush tjetër, përveçse nga inspektorë të tatimeve apo firmat privatë që kanë krijuar sistemin, të cilat janë të vetmet që mund të kenë akses të drejtpërdrejtë.

Kjo dosje është krijuar në datën 26 shkurt të vitit 2021, ndërsa modifikimi i fundit është kryer me datë 6 prill.

Sipas sistemit të krijuar për mbrojtjen e të dhënave, i aplikuar te Tatimet që prej kohës së qeverisë Berisha, asnjë prej inspektorëve të tatimeve nuk mund të shkarkojë më shumë se 1000 të dhëna në një veprim të vetëm.

Pra, për të krijuar atë ‘file’ janë dashur rreth 640 veprime dhe kjo mund të jetë edhe një shpjegim se pse krijimi i dokumentit ka dashur më shumë se muaj e gjysmë punë.

Tjetër informacion i rëndësishëm është fakti se aty mungojnë më shumë se 30.000 mijë taksapagues. Pra nuk janë të gjithë punonjësit. Ndërkohë që për një numër shumë të madh punonjësish pagat nuk janë të përditësuara.

Po ashtu, sipas report.tv, dokumenti nuk është origjinal, por i përditësuar dhe i ndryshuar në exel.

Se çfarë lidhje ka Mimoza Seraj me të gjithë këtë histori? E ka krijuar ajo file që kur ishte në punë apo dikush tjetër ka përdorur të dhënat e saj, edhe pse logjikisht useri i saj duhet të ishte ç’aktivizuar që prej momenti kur doli në pension?

A është shpërndarë me qëllim lista në rrjetet sociale të shqiptarëve?

Të gjitha këtyre pyetjeve do t’i japë përgjigje vetëm znj. Seraj, e cila pritet të merret sa më shpejt në pyetje nga hetimi që po kryhet ndërkohë nga Prokuroria e Tiranës.

Qeveria mohon që ky informacion të ketë dalë nga Ministria e Ekonomisë dhe se dokumenti që ka rrjedhur nuk ka të njëjtën paraqitje me dokumentin zyrtar që disponon kjo ministri, nuk përmban emrin e plotë dhe se është bashkim i disa copave të ndryshme.

Për skandalin me publikimin e pagave reagoi edhe presidenti Ilir Meta dhe Partia Demokratike.

Meta e cilësoi publikimin e këtyre të dhënave personale akt kriminal që rrezikon paqen sociale, ndërsa PD ia faturoi qeverisë duke thënë se është pjesë e skemës së patronazhimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA