Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së autorizoi të enjten ilaçin kundër COVID-19 të kompanisë Merck & Co për grupin e pacientëve mbi 18 vjeç me rrezikshmëri të lartë, një ditë pasi i dha miratimin një trajtimi të ngjashëm të kompanisë Pfizer Inc për pacientët me rrezikshmëri të lartë mbi 12 vjeç.
Ilaçi i kompanisë Merck, molnupiravir, i zhvilluar me kompaninë Ridgeback Biotherapeutics, redukton shtrimet në spital dhe vdekjet me rreth 30%, sipas një prove klinike mes individëve me rrezikshmëri të lartë në fazat e para të sëmundjes.
Agjencia autorizoi ilaçin për trajtimin e rasteve të lehta deri të moderuara të COVID-19 tek të rriturit që janë në rrezik për sëmundje të rëndë dhe të cilët nuk i përdorin dot trajtimet alternative për COVID-19.
Vendimi vjen pas një votimi të ngushtë në favor të autorizimit nga një panel ekpertësh të FDA-së më 30 nëntor.
Të dyja pilulat Merck dhe Pfizer mund të jenë trajtime premtuese për ata që janë të sëmurë me COVID-19, veçanërisht në kushtet e përhapjes së shpejtë së Omicronit, që tani është varianti dominues në Shtetet e Bashkuara.
“Ndërsa variantet e reja të virusit vazhdojnë të shfaqen, është thelbësore të zgjerohet gama e terapive të COVID-19 në vend duke përdorur autorizimin urgjent të përdorimit nt,” tha Patrizia Cavazzoni, drejtore e Qendrës për Vlerësimin dhe Kërkimin e Barnave në FDA.
Ilaçi nuk është autorizuar për përdorim te pacientët nën 18 vjeç sepse molnupiraviri mund të ndikojë negativisht tek rritjen e kockave, tha FDA. Pilula Pfizer u autorizua të mërkurën për personat 12 vjeç e lart.
Trajtimi antiviral i kompanisë Pfizer, Paxlovid, ishte gati 90% efektiv në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve te pacientët me rrezik të lartë për sëmundje të rëndë, sipas përfundimeve të provës klinike./VOA
Top Channel