Presidenti rus, Vladimir Putin, të enjten do të mbajë konferencën e tij vjetore për media.

Kjo konferencë vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit, pas grumbullimit të trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën dhe thirrjeve për “garanci të sigurisë” nga Moska, që do të ndalonin zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe do të kufizonin aktivitetet e Aleancës në mbarë ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik.

Konferenca do të mbahet në Qendrën Manezh të Moskës nën protokolle të rrepta kundër koronavirusit. Për shkak të kufizimeve kundër pandemisë, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov tha se vetëm rreth 500 gazetarë vendorë dhe të huaj do të mund të marrin pjesë, teksa në vitet e fundit këtë konferencë e kanë përcjellë nga afër mbi 1,000 gazetarë.

Gazetarëve u është kërkuar që të paraqesin tri teste negative PCR me qëllim që të mund të marrin pjesë në konferencën e fundvitit.

Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara, Aleanca Veri-Atlantike dhe Kievi kanë shprehur shqetësimet pas grumbullimit të rreth 100,000 trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën dhe në rajonin ukrainas të Krimesë, që është i okupuar nga Moska. Zyrtarët amerikanë thonë se Moska mund të jetë duke planifikuar një sulm ushtarak ndaj Ukrainës. Por, Rusia mohon se ka qëllime të tilla.

Ndërkaq, mbi 13,200 persona kanë vdekur në luftimet ndërmjet separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase në lindje të Ukrainës, që prej fillimit të konfliktit më 2014.

Ndryshe, çdo konferencë vjetore e Putinit që prej vitit 2004 ka zgjatur të paktën tri orë dhe konferenca më e gjatë e fundvitit u mbajt vitin e kaluar, e cila zgjati katër orë e gjysmë./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA