Publikimi i të dhënave, Zyra e Komisionerit: Bashkëpunim për ndalimin e përhapjes së mëtejshme

23/12/2021 16:31

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale i është drejtuar me një akt administrativ Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në lidhje me publikimin dhe shpërndarjen në mënyrë të paligjshme të dhënave personale të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat.

Zyra e Komisionerit thekson se publikimi i të dhënave, në faqe interneti apo media, përbën një burim të hapur dhe të paligjshëm informacioni, në të cilin çdokush, brenda dhe jashtë vendit, ka mundësinë e aksesimit të këtyre të dhënave në kundërshtim të plotë me parimet dhe kriteret ligjore të përpunimit të përcaktuara në ligjin nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

Nisur nga volumi jashtëzakonisht i madh i të dhënave që përmban kjo databazë, Zyra e Komisionerit ka kërkuar bashkëpunim efektiv dhe ndërhyrje të shpejtë institucionale për ndalimin e përhapjes së mëtejshme të të dhënave personale online ose nëpërmjet mediave.

Zyra e Komisionerit vlerëson se kjo ngjarje mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën private, profesionale dhe familjare të qytetarëve dhe përbën një shkelje shumë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore të tyre të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë.

Kujtojmë se të dhënat personale bashkë me pagat e 630.000 shqiptarëve janë publikuar këtë të mërkurë në vendin tonë me anë të një databaze.

Kjo listë u shpërnda përmes WhatsApp dhe aktualisht është bërë virale, ndërkohë që ende nuk ka persona të dyshuar, se kush mund të jetë burimi i tyre dhe prej nga janë shpërndarë.

Prokuroria deklaroi për Top Channel se është ende në fazë verifikimi dhe nuk mundet të përcaktojë nëse rrjedhja e këtyre të dhënave ka ndodhur nga e-albania.

Më herët, një databazë e përpunuar më të dhënat personale të shtetasve shqiptarë u aksesua gjatë zgjedhjeve.

Për këtë dosje të pagëzuar si “Patronazhistët”, SPAK nuk konkludoi nëse ky proces kishte lidhje apo jo me korrupsionin në zgjedhje, por e delegoi hetimin pranë prokurorisë së kryeqytetit, e cila ende vijon ta ketë nën proces hetimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA