Teksa presidenti rus Vladimir Putin po ashpërson tonet e tij, ndaj lëvizjes së trupave ruse në kufirin me Ukrainën ka reaguar edhe NATO.
Sipas një raportimi të gazetës gjermane “Welt”, gatishmëria operacionale e forcave për reagime të shpejta është rritur.
Sipas kësaj, task-forca e njohur si e ashtuquajtura “Maja e shtizës së NATO-s” duhet të jetë gati brenda pesë ditësh për të shkuar në ndonjë zonë krize.
Deri më tani, forca e quajtur “Very High Readiness Joint Task Force (VJTF)” duhej të ishte gati brenda shtatë ditësh.
Sipas njoftimit të gazetës, në gatishmëri të shtuar janë vënë edhe njësi të tjera, si forcat speciale apo dhe ato për logjistikë. Në rast krize, ato janë gjithashtu të gatshme të lëvizin shumë më shpejt.
Përveç përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë, qëllimi është të përmirësohet mbrojtja e aleatëve lindorë të NATO-s, që ndihën gjithnjë e më të kërcënuara nga zhvillimet e fundit në kufirin ruso-ukrainas.
Një zëdhënës i NATO-s nuk deshi të komentojë hapat e fundit.
Megjithatë, aleatët e kishin “bërë të qartë” se çdo agresion i mëtejshëm nga Rusia do të kishte “kosto dhe pasoja”, tha ai.
Forca e NATO-s për Reagime (NRF) është një task forcë shumëkombëshe, që mund të zhvendoset shpejt dhe përbëhet nga deri në 40.000 ushtarë.
VJTF është pjesë e NRF. VJTF është forca më e shpejtë e reagimit që ka aleanca NATO. VJTF aktualisht drejtohet nga Turqia. Sipas “Welt”, në këtë forcë bëjnë pjesë rreth 6400 ushtarë.
Top Channel