Kosova pa energji elektrike, njerëzit paguajnë por mbeten në terr

23/12/2021 17:42

Qytetarët në Kosovë nga dita e mërkurë po përballen me kufizime të energjisë elektrike.

Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë, KEDS, njoftoi se reduktimet pritet të zgjasin rreth dy orë në ditë, në kohë të ndryshme, dhe se do t’i prekin të gjithë konsumatorët, përveç atyre emergjentë.

Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, dhe shkaku ka qenë mbingarkesa në sistemin elektro-energjetik.

Në mënyrë që kriza të ketë ndikim sa më të vogël, KEDS apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike dhe përdorim të formave alternative të ngrohjes, aty ku ka mundësi”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga KEDS.

Për situatën e krijuar, disa fajësojnë politikën e mbi 20 vjetëve të fundit, të tjerë flasin për mungesë strategjish dhe projektesh.  Qytetarët vetë e kanë shumë më konkret shqetësimin e tyre.

Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” në Obiliq aktualisht prodhojnë rreth 500 megavat energji elektrike në orë, ndërsa kërkesat janë për mbi 1,100 megavat në orë.

Një nga arsyet për këtë mungesë prodhimi janë dhe termocentralet e vjetruara.

Për t’i plotësuar nevojat, Kosova është duke importuar energji, por me çmime më të larta, për shkak të krizës energjetike në botë.

Reduktimet kanë prekur edhe Mitrovicën, por raporte të ndryshme të ilustruara dhe me foto tregojnë se jugu i saj i mbizotëruar nga shqiptarët ishte në terr, ndërkohë që veriu me shumicë serbe nuk kishte mungesë të energjisë elektrike.

Top Channel