AstraZeneca garanton: Doza jonë e tretë, rrit antitrupat ndaj Omicron-it

23/12/2021 18:01

AstraZeneca garanton se doza e tretë e vaksinës së saj kundër koronavirusit, ndihmon dhe kundër variantit Omicron, pasi shton në mënyrë domethënëse nivelin e antitrupave në organizëm.

Vaxzevria (vaksina e AstraZenecas) rrit në mënyrë domethënëse nivelin e antitrupave kundër variantit Omicron pas marrjes së dozës së tretë”, tha kompania farmaceutike duke iu referuar të dhënave të një studimi që ata vetë kanë kryer.

Doza e tretë përforcuese neutralizon variantin Omicron në nivele që kemi parë edhe në të kaluarën, kur personat kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër variantit Delta”, thanë drejtues të saj.

Nivelet e neutralizimit të antitrupave ishin po ashtu më të lartë te personat e imunizuar me doza përforcuese sesa tek ata që kanë kaluar më parë sëmundjen.

Ky studim u krye nga Universiteti i Oksfordit, universiteti i njohur që vitin e kaluar e ndihmoi AstraZeneca të zhvillonte vaksinën kundër koronavirusit.

Një ditë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi shtetet që po përshpejtojnë fushatën e imunizimit me doza të treta dhe përforcuese, duke argumentuar se kështu po thellohet pabarazia në qasjen në vaksina, që sipas OBSH-së, mund ta zgjasë pandeminë.

Sipas kreut të saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus insistoi se prioritet duhet të jetë marrja e vaksinës nga personat që janë në rrezik të lartë përpara se ato tu jepet fillimisht atyre që i kanë marrë dy doza.

Top Channel