Rrugët me baltë në Durrës/ Banorët në protestë: Në zonën e Plazhit s’ka as kanalizime!

22/12/2021 15:13

Asfaltimi i disa rrugëve dytësore në qytetin e Durrësit vazhdon të nxisë reagimin e banorëve, të cilët kërkojnë jo thjesht përmirësim të rrugëve në lagjet e tyre, por rehabilitim të plotë të infrastrukturës rrugore, duke përfshirë rrjetin e kanalizimeve.

Banorë të rrugës “Mbreti i Arbrit” në zonën e Plazhit, kanë protestuar të mërkurën para bashkisë së Durrësit, pasi këto ditë po punohet për asfaltimin e rrugës së tyre.

“Këtej thonë se do e bëjmë si në Dubai e rruga nuk po bëhet as si në Irak. Atje vetëm ujë ka. tani që bëhet rruga pa kanalizime do jemi më keq. Të gjitha ujërat brenda në shtëpi”.

“Kjo është një katastrofë për ne. Tani do bëhet tmerr fare. Më mirë të mos e bëjnë se kështu. Te rajoni më thanë: Kërkove rrugë, po ta bëjmë me asfalt, për kanalizime s’kemi plan”.

“Ne kërkojmë të drejtën tonë, përderisa paguajmë taksat rruga të bëhet siç duhet”.

Një muaj më parë, banorë të një tjetër rruge në Plazh, bllokuan përkohësisht punimet e firmës fituese të tenderit për asfaltimin e rrugës së tyre.

Me një fond prej 80,5 milion lekësh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në Durrës po bëhet përmirësimi i shtresave asfaltike në 10 rrugë të qytetit, 4 prej të cilave kanë përfunduar javën e kaluar. Sipas bashkisë, rehabilitimi i këtyre rrugëve me trafik të rënduar do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa ndërhyrja për rrjetin e kanalizimeve do të bëhet në një kohë tjetër, ende të papërcaktuar nga autoritetet pasi projekti është në fazën e hartimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA