“Rama të dorëhiqet”, PD: Ekspozoi mbi 630 mijë qytetarë para keqbërësve

22/12/2021 14:22

Partia Demokratike të mërkurën ka akuzuar qeverinë shqiptare për paaftësi pasi sipas saj ka dështuar plotësisht të mbrojë të dhënat personale dhe sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri.

Në emër të forcës më të madhe opozitare, nënkryetari i kësaj partie, Enkeled Alibeaj theksoi se publikimi i të dhënave për pagat e mbi 630 mijë qytetarëve është pjesë e të njëjtës skemë patronazhimi të përdorur nga Partia Socialiste për blerjen e zgjedhjeve.

Të gjithë e dimë, se pak javë para zgjedhjeve, të dhënat personale të më shumë se 900 mijë qytetarëve, të cilat disponohen vetëm nga qeveria, u keqpërdorën nga kreu i qeverisë Edi Rama për të blerë mandatin e tij të tretë. Për ne, nuk ka asnjë dyshim se lista e publikuar sot, që i përket pagave të marra të mbi 630 mijë qytetarëve në janar 2021, pak javë para zgjedhjeve, është pjesë e strategjisë së partisë-shtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale”, tha ai.

Duke e konsideruar si një skandal të përmasave të jashtëzakonshme, PD kërkon nga kryeministri Rama të mbajë përgjegjësi dhe të japë dorëheqjen, pasi sipas tyre, ky i fundit është mbrojtësi dhe frymëzuesi kryesor i skemës së paligjshme të patronazhimit për blerjen e pushtetit.

Mësohet se një publikim i jashtëligjshëm i një databaze me të dhënat e mbi 630 mijë qytetarëve qarkulloi me shpejtësi në aplikacionin “Whatsapp”, duke alarmuar kështu një pjesë të konsiderueshme qytetarësh, por edhe drejtues institucionesh publike dhe private.

Nisur nga fakti në fjalë, Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht një hetim mbi të dhënat e publikuara dhe po analizon si mund të ketë ardhur rrjedhja e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA