100 familje të komunitetit rom e egjiptian mund të shesin produktet e përdorura në tregun e ri të Selitës.
Kryebashkiaku Veliaj tha se më në fund pas 30 vitesh, komuniteti rom në zonën e Selitës, do të tregtojë në një hapësirë të re me kushte optimale për ta dhe qytetarët që frekuentojnë tregun. Veliaj tha se ambienti i ri do të jetë një vit pa asnjë pagesë për komunitetin rom.
“Më në fund ka ardhur dita kur komuniteti rom dhe egjiptian të trajtohen me të njëjtin dinjitet që trajtohet çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë që jeton në Tiranë, që do të jetojë me punë të ndershme. Do kemi një treg, e cili për një vit do të jetë pa asnjë kosto, pa asnjë pagesë. Edhe pse pagesa është modeste, por është një mënyrë për të dhënë një mesazh e për të thënë: Ne do shesim mbi një tezgë, nuk do shtrihemi në tokë, do respektojmë higjienën se jemi ende në një betejë me pandeminë dhe do jetë falas për një vit, si një mënyrë për të treguar se duam t’i japim të njëjtin respekt çdo komuniteti, çdo qytetari që do të jetojë me djersën e tij, me punën dhe mundin e tij”, theksoi ai.
Në mënyrë simbolike kryebashkiaku Veliaj shpërndau tre licencat e para për tregtarët e rinj në treg.
“Sot kam një kënaqësi të jashtëzakonshme që të jap tre licencat e para. Këtu janë 100 licenca, pra nga 95 tregtarë kemi shkuar në 100; do shohim edhe mënyra kush do që të modifikojë tezgën dhe të ketë hapësirë për më shumë për reklamim, por unë besoj se sot i kemi dhënë dinjitet atij që shet, i kemi dhënë dinjitet atij që blen, i kemi dhënë dinjitet edhe atij që thjesht kalon dhe shikon një hapësirë që aty do bëhet një bahçe me lule”.
Në fund Veliaj ftoi qytetarët që t’i japin një dorë komunitetit rom, duke reklamuar këtë treg, pasi sipas tij kjo është agjencia më e mirë e marketingut.
Top Channel