Nga 120 mijë biznese që duhet të fiskalizohen deri në fund të dhjetorit, vetëm gjysma e tyre rreth 60 766 biznese janë fiskalizuar plotësisht sipas të dhënave të Tatimeve.
Për ekspertët procesi po ecën me ritme të ngadalta dhe bizneset po hasin problematika të shumta edhe pse procesi ka nisur prej një viti, teksa shumë prej tyre po ngurrojnë të fiskalizohen pasi edhe certifikatën elektronike pranë AKSHI-t e kanë marrë vetëm 92.6 mijë biznese në total deri më tani.
“Ka shumë biznese që nuk janë fiskalizuar, pra nuk kryejnë transaksione. Ka ende një numër të madh biznesesh që as nuk janë regjistruar ende. Po ashtu ka ende problem dhe për bizneset e fiskalizuara dhe nuk po u jepet zgjidhje si nga pikëpamja ligjore dhe ajo teknike. Ka dhe problem të tjera që dhe vetë administrate nuk është plotësisht e përgatitur ta përdorë atë sistem. Ky proces nuk është realizuar plotësisht në fund të këtij viti.” Sotiraq Dhamo, ekspert kontabël
Afati për mosvendosjen e penaliteteve të fiskalizimit mbaron më 31 dhjetor 2021, por ekspertët shpjegojnë se nevojitet një shtyrje e tij për t’iu dhënë më tepër kohë subjekteve, diçka që sipas tyre po shqyrtohet edhe nga Financat.
“Është pamundur të realizohet në janar dhe duhet të shtyhet. Por që të mos kuptohet shtyrja e afatit të penaliteteve si jo detyrim për t’u regjistruar, siç është kuptuar unë do të sugjeroja që të vlerësohet sa është afati që mund që të gjithë bizneset të aplikojnë për certifikatë dhe me mbarimin e afatit të gjitha bizneset e tjera të gjobitet dhe t’u pezullohet aktiviteti.” Sotiraq Dhamo, ekspert kontabël
Zgjatja e afatit të zbatimit të penaliteteve është kërkuar edhe nga komuniteti i biznesit, ku së fundmi vjen edhe si kërkesë e Dhomës Amerikane të Tregtisë pasi sipas tyre biznesi nuk është ende gati.
Top Channel