Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi sot se nuk ka plane për një takim personal midis presidentit Joe Biden dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, në rrethanat e tensioneve të rritura për akumulimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën, raporton Reuters.
“Mendoj se ne duhet të shohim nëse, mbi të gjitha, ka ndonjë përparim diplomatik. Ne duam gjithashtu të shohim ndërprerjen e operacioneve ushtarake të Rusisë, të lëvizim forcat nga kufiri me Ukrainën, për të ulur tensionet,” tha Blinken kur u pyet nëse do të ketë një takim midis dy presidentëve në përpjekje për të zbutur tensionet.
Putin fajësoi sot Perëndimin për përshkallëzimin e tensioneve në Evropë. Në seancën e bordit të Ministrisë së Mbrojtjes në përbërje të zgjeruar, Putin tha se Rusia është e gatshme të marrë masa ushtarako-teknike nëse NATO i afrohet kufijve të saj.
Putin vuri në dukje se NATO po zgjerohej në lindje pas Luftës së Ftohtë, pavarësisht, siç tha ai, marrëdhëniet pothuajse aleate midis Moskës dhe Perëndimit në atë kohë.
Ai tha gjithashtu se shpreson në bisedime konstruktive me Uashingtonin dhe Brukselin për kërkesën e Moskës për garanci të sigurisë, pasi, siç vlerësoi, ka shenja se Perëndimi është i gatshëm të punojë në këtë çështje.
Top Channel